“Ndalohet ‘mekskanizimi’ i vendit”, bëjnë thirrje sipërmarrësit dhe zejtarët francezë drejt qeverisë dhe forcave të sigurisë. Franca është përfshirë nga një valë dhune të pakontrolluar – rrëmbime, grabitje, sulme ndaj burgjeve dhe atentate.
Rritja e kriminalitetit konfirmohet edhe nga raportet e shërbimit civil të inteligjencës dhe sektorit të krimeve të organizuara, shkruan “Le Parisien”. Pamjet nga kamerat e rrugëve janë tronditëse. Kriminelët, në mes të ditës, në qendër të Parisit, tentuan të rrëmbenin një grua – vajzën shtatzënë të drejtorit të një kompanie kriptomonedhash – e cila kishte me vete edhe fëmijën dy vjeç e gjysmë.
Rrëmbimi nuk pati sukses, por në janar, kriminelët ia dolën të rrëmbenin David Balland-in, bashkëthemeluesin e kompanisë Ledger, dhe gruan e tij. Policia arriti t’i shpëtonte, por numri i rrëmbimeve po rritet ndjeshëm.
Që nga fillimi i vitit deri në fund të prillit janë shënuar pesë rrëmbime, ndërsa gjatë gjithë vitit të kaluar ishin gjithsej gjashtë. “Të dhënat e fundit tregojnë se krimi i dhunshëm ka shkaktuar më shumë viktima se në Belgjikë dhe Holandë, megjithëse ato kanë një përqendrim më të madh të rrjeteve ndërkombëtare kriminale”, thuhet në raport.
Skena të pabesueshme në rrugët e Parisit
Tentativa për rrëmbim në qendër të Parisit tronditi kalimtarët: vajzën e një njeriu me ndikim tentuan ta fusin në furgon – e shpëtoi bashkëshorti i saj.
“Të rinjtë kriminelë nuk kanë frikë nga asgjë”, thotë për Le Parisien, Sarah, një sipërmarrëse në sektorin e pasurive të paluajtshme. Sipas saj, situata ka filluar të përkeqësohet para 12 vitesh. “Nuk kam nevojë të shikoj seri krimi – më mjafton të dëgjoj miqtë e mi që janë viktima të grabitjeve ose që u janë plaçkitur shtëpitë”, rrëfen ajo. Sot, nuk mban më bizhuteri apo rroba firmato. “Jam e detyruar të anonimizohem, për të mos tërhequr vëmendje dhe për të shmangur grabitje apo rrëmbime”, shton ajo.
Me të bie dakord edhe Éric Larchevêque, bashkëthemelues i kompanisë Ledger. Ai pohon se kriminelët “nuk njohin kufij e nuk kanë frikë”, sepse “mosndëshkueshmëria dhe butësia e drejtësisë janë kthyer në normë”.
Sipërmarrësit dhe zejtarët pohojnë se të arrish sukses në Francë sot do të thotë të vesh një shenjë në shpinë. Lionel, një sipërmarrës nga rajoni parizian me 100 punëtorë, beson se Franca ndodhet në të njëjtën situatë që ndodhej Italia në vitet ’70. Këtë e konfirmon edhe një raport policor.
“Italia ishte vendi i parë në Evropën Perëndimore ku krimi i organizuar nisi të sulmonte përfaqësues të institucioneve shtetërore. Në vitin 2019, e njëjta situatë u përsërit në Holandë – me plane për rrëmbime të gjykatësve e politikanëve, sulme ndaj mediave, vrasje gazetarësh dhe dëshmitarësh që zbuluan veprimtarinë e rrjeteve kriminale. Sot, Franca përballet me të njëjtat rreziqe”, thuhet në raportin e publikuar në faqen zyrtare të “Le Parisien”.
Kjo situatë e ka shtyrë shumë sipërmarrës të marrin një hap ekstrem – të largohen nga Franca.
Policia pranon se mafiet janë të fuqishme në vend. “Kemi të bëjmë me një ushtri kriminale. Sapo një anëtar (ushtar) vritet, menjëherë zëvendësohet. Forca e tyre është e pashtershme”, ka thënë një zyrtar i lartë i policisë. Fjalët e tij vërtetohen nga rastet e shumta të rrëmbimeve, porosive për likuidimin e policëve dhe drejtorëve të burgjeve, si dhe përgatitjeve për kryengritje në burgje.