Franca dënon ashpër planin e Izraelit për pushtimin e Gazës

Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noel Barrot tha se plani i Izraelit për të zgjeruar pushtimin në Rripin e Gazës është kundër ligjit ndërkombëtar

Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noel Barrot tha se plani i Izraelit për të zgjeruar pushtimin në Rripin e Gazës është kundër ligjit ndërkombëtar, transmeton Anadolu.

I ftuar në radion RTL, Barrot foli mbi planin e Izraelit për të zgjeruar pushtimin dhe sulmet e tij në Gaza. Ai tha se e dënojnë në mënyrë të ashpër planin e Izraelit dhe se kjo është kundër ligjit ndërkombëtar.

Duke theksuar se një armëpushim duhet të vendoset menjëherë në Gaza dhe se ndihma humanitare duhet të arrijë në rajon pa pengesa, Barrot tha: “Edhe nëse ka luftë, civilët ose punonjësit e ndihmës humanitare nuk sulmohen”.

Kryediplomati francez thekson se Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC) dhe Programi Botëror i Ushqimit (WFP) kanë deklaruar se nuk ka më ushqim në Gaza, ekziston rreziku i urisë dhe se duhet të sigurohet qasja në ndihmë humanitare.

“Po punojmë për njohjen e shtetit të Palestinës”, tha Barrot.

– Plani për të zgjeruar pushtimin në Gaza

Kabineti izraelit i sigurisë miratoi dje një plan për zgjerimin e sulmeve në Rripin e Gazës.

Plani në fjalë përfshin pushtimin e më shumë territorit në Gaza dhe zgjerimin e “zonave tampon”.

Gjithashtu plani përfshin që ushtria izraelite të mos tërhiqet nga territoret e pushtuara dhe që palestinezët të zhvendosen me forcë në jug të Gazës.

Duke folur për mediat vendase pasi u miratua plani, ministri izraelit i Financave i ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich tha se ata do ta pushtojnë Gazën përgjithmonë.

Mediat izraelite kanë raportuar se ushtria planifikon të nisë sulme në shkallë të gjerë në Rripin e Gazës nëse nuk arrihet marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve deri në fund të vizitës së presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në Lindjen e Mesme këtë muaj.

Kategoritë
BotaLajme