Fotografitë satelitore zbulojnë fillimin e një projekti në kompleksin bërthamor të Izraelit

“Fotografitë satelitore kanë zbuluar se një gërmim në madhësinë e një fushe futbolli dhe me thellësi të disa kateve po kryhet në një pikë afër reaktorit Shimon Peres në Qendrën Kërkimore Bërthamore Negev, në afërsi të qytetit Dimona të Izraelit”

Një nga projektet më të mëdha të ndërtimit të viteve të fundit po vazhdon në kompleksin të cilin Izraeli nuk e ka konfirmuar, por që nga shumë organizata ndërkombëtare tregohet si vendi ku prodhohen armët bërthamore të qeverisë së Tel Avivit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në lajmin e agjencisë së lajmeve AP thuhet që fotografitë satelitore kanë zbuluar se një gërmim në madhësinë e një fushe futbolli dhe me thellësi të disa kateve po kryhet në një pikë afër reaktorit Shimon Peres në Qendrën Kërkimore Bërthamore Negev, në afërsi të qytetit Dimona në jug të Izraelit.

Parashikohet se gërmimet pranë reaktorit kanë filluar në fillim të vitit 2019 dhe se që nga ajo kohë po përparojnë me ngadalë.

Në fotografi mund të shikohen mbeturinat që dalin nga gropa me një gjatësi rreth 150 metra dhe me një gjerësi 60 metra.

Projekti në fjalë nuk dihet ende se për çfarë po bëhet thuhet në lajmin në të cilin theksohet se zyrtarët izraelitë nuk kanë dhënë përgjigje pyetjes lidhur me çështjen.

Ndër të tjera, në lajm tërhiqet vëmendja se ndërtimi përkon me periudhën kur Izraeli nën drejtimin e kryeministrit Benjamin Netanyahu drejton kritika të ashpra lidhur me punimet bërthamore të Iranit.

Aktivitetet bërthamore të Iranit kontrollohen nga vëzhguesit e Kombeve të Bashkuara thuhet në lajmin ku vihet në dukje se Izraeli i cili kritikon Teheranin për shkak të aktiviteteve bërthamore nuk lejon një kontroll të ngjashëm.

Drejtori i Shoqatës për Kontrollin e Armëve me qendër në Washington, Daryl G. Kimball, theksoi se administrata e Izraelit duhet të bëjë deklaratë lidhur me projektin në Qendrën Kërkimore Bërthamore Negev.

Aktivitetet e fshehta bërthamore të Izraelit

Izraeli në vitet 1950, me ndihmën e Francës filloi në fshehtësi ndërtimin e një kompleksi bërthamor në shkretëtirën që ndodhet pranë qytetit Dimona në jug të vendit.

Administrata e Tel Avivit e fshehu nga opinioni publik ndërkombëtar kryesisht nga SHBA-ja se projekti në rajonin në fjalë ishte ndërtim i një kompleksi bërthamor.

Falë plutoniumit të arritur në kompleks, Izraeli thuhet se u bë një prej 9 vendeve në botë që posedojnë armë bërthamore.

Për shkak se Izraeli nuk jep informacione lidhur me aktivitetet, nuk dihet sasia e armëve që ai posedon, por organizatat kundër armatosjes bërthamore pretendojnë se Tel Avivi posedon rreth 80 armë bërthamore.

Armët bërthamore që Izraeli posedon theksohet se mund të barten nga raketat balistike, avionët luftarak dhe nëndetëset.

Kategoritë
BotaLajme