Në amfiteatrin antik të qytetit-kala në Alepo, presidenti sirian Ahmed al-Sharaa iu drejtua qytetarëve të mbledhur në ngjarjen publike “Alepo, çelësi i fitores”, me të cilën u përkujtua fitorja e revolucionit sirian dhe u nderuan luftëtarët që kontribuan në çlirimin e qytetit.
“Ju që shkruat faqe lavdie me gjakun tuaj të pastër, që endët vela guximi me durim, dhe farkuat gjerdanë krenarie me djersën e betejës”, tha presidenti Al-Sharaa, në një fjalim të mbushur me emocione, simbolikë dhe mesazhe qëndrese.
Ai theksoi se Alepoja kurrë nuk u përkul para stuhive të luftës, por mbeti një kështjellë rezistence dhe dëshmi e qëndrueshmërisë.
“Kjo tokë nuk iu nënshtrua erës, as nuk u thye nga stuhia. Ajo ishte fortesë, mur, dhe dëshmitare e qëndresës”, tha Al-Sharaa.
Duke folur për luftën për çlirimin e Alepos, ai u shpreh:
“Ishe i bindur se çlirimi i Alepos ishte çelësi i fitores. Përgatitëm ushtri si kurrë më parë. Kur nisëm ofensivën me besim te Zoti, fortesat e armikut nisën të shemben.”
Presidenti shtoi se momenti i çlirimit të Alepos ishte historik:”Në atë çast, nga muret e Citadelës së Alepos, pashë Damaskun.”
Ai rikujtoi edhe fjalët e tij dy vjet më parë:”Atëherë thashë: ‘Ju shoh në Alepo, ashtu si tani’, dhe se nuk e meritojmë këtë mburojë nëse nuk kthehemi këtu.”
Në fund të fjalimit, Al-Sharaa dha një mesazh të fortë për botën:”Nga zemra e Alepos shpall – lufta jonë me tiranët ka përfunduar, ndërsa beteja jonë kundër varfërisë tashmë ka nisur.”
Ai foli edhe për ringritjen e reputacionit ndërkombëtar të Sirisë, duke theksuar se qytetarët sirianë, pas viteve të vuajtjes, shpërnguljes dhe poshtërimit, e kanë rifituar respektin global.
“Ajo që po dëshmojmë sot – mbështetja e vëllezërve dhe miqve, heqja e sanksioneve – nuk është thjesht mirësjellje politike. Është një e drejtë që sirianët e kanë fituar me sakrificën dhe heroizmin e tyre.”
Në përmbyllje, ai u bëri thirrje qytetarëve për bashkim në ndërtimin e vendit pas luftës:”Beteja e rindërtimit sapo ka filluar – të bashkojmë forcat dhe të kërkojmë ndihmën e Zotit për të ndërtuar një të ardhme të ndritur për popullin tonë dhe një atdhe që e meriton.”
Ai premtoi se Alepoja do të shndërrohet në “fenerin ekonomik më të madh” të Sirisë dhe kujtoi slloganin që shoqëroi luftën siriane:”Nuk do të pushojmë derisa ta rindërtojmë Sirinë dhe ta tregojmë atë para gjithë botës – me ndihmën e Zotit dhe fuqinë tonë.”