Fitore simbolike, flamuri palestinez ngritet për herë të parë në OBSH

Në një fitore simbolike pas një votimi të mbajtur të hënën, delegacioni palestinez ka fituar të drejtën për të ngritur flamurin e tyre në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

Sipas Reuters, propozimi, i paraqitur nga Kina, Pakistani, Arabia Saudite dhe të tjerë, në asamblenë vjetore të agjencisë globale në Gjenevë, ka kaluar me 95 vota pro dhe katër kundër – Izraeli, Hungaria, Republika Çeke dhe Gjermania – ndërsa ka pasur edhe 27 abstenime.

Ky hap vjen pas një përpjekje të suksesshme të palestinezëve për anëtarësi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së vitin e kaluar dhe në një kohë kur ka shenja se Franca mund të njohë një shtet palestinez.

Ndërkohë, duke iu referuar qartë luftës shkatërruese mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza, delegatja e Libanit, Rana el Khoury, ka thënë se rezultati i votimit ofronte “një rreze të vogël shprese për popullin e guximshëm palestinez, vuajtjet e të cilit kanë arritur nivele të padurueshme.”

Bëhet e ditur se Izraeli ka kundërshtuar rezolutën e OBSH-së dhe kërkoi që të bëhej votim, ndërsa aleati kryesor i Izraelit, SHBA – që planifikon të largohet nga OBSH-ja – nuk ka marrë pjesë.

Deri më tani janë gjithsej 150 vende që e kanë njohur shtetin palestinez, megjithatë, shumica e fuqive kryesore perëndimore dhe të tjera nuk e kanë bërë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Francën, Gjermaninë dhe Japoninë.

Kujtojmë se, palestinezët kërkojnë shtetësinë në territoret që Izraeli i pushtoi gjatë luftës së Lindjes së Mesme në vitin 1967. Ata kanë status zyrtar të shtetit vëzhgues në OBSH, e cila aktualisht po kalon një transformim ndërsa përgatitet për një të ardhme pa donatorin e saj më të madh, Shtetet e Bashkuara.

Kategoritë
BotaLajme