Sipas përfaqësuesve të kësaj komuniteti amazonik, raportimi i gazetës së njohur ka bërë që anëtarët e tyre të etiketohen publikisht si të varur nga pornografia, raporton BBC.
Në padinë që është ngritur për shkak të dëmtimit të reputacionit, thuhet se artikulli i gazetës amerikane e paraqiti fisin Marubo si të paaftë për të përdorur internetin në mënyrë bazike dhe veçanërisht theksoi “akuza se të rinjtë e fisit janë të fiksuar pas pornografisë”.
Dëmshpërblim prej miliona dollarësh
Përveç New York Times, në padi përmenden edhe mediat TMZ dhe Yahoo, duke u akuzuar se artikujt e tyre kanë tallur të rinjtë e fisit dhe kanë shtrembëruar traditat e tij.
The New York Times ka deklaruar se reportazhi i tyre nuk ka pretenduar se anëtarët e fisit janë të varur nga pornografia dhe se do të mbrohet kundër akuzave.
Komuniteti indigjen Marubo, që përbëhet nga rreth 2000 anëtarë, kërkon së paku 180 milionë dollarë dëmshpërblim.
Raportimi i diskutueshëm
Në reportazhin e kontestuar të NYT, i publikuar nëntë muaj pasi fisi Marubo kishte fituar qasje në shërbimin satelitor të internetit Starlink – të ofruar nga SpaceX, kompania e miliarderit Elon Musk – thuhej se fisi “tashmë po përballet me të njëjtat probleme që prej vitesh shqetësojnë familjet amerikane”. Sipas artikullit, këto probleme përfshijnë “adoleshentë të ngjitur pas telefonave”, video-lojëra të dhunshme dhe të mitur që shikojnë pornografi.
Pornografia si problem
Udhëheqësi i fisit, i cili është kritik ndaj internetit, ka shprehur veçanërisht shqetësim për pornografinë. Në artikull përmendet se ai kishte vërejtur “sjellje seksuale më agresive” te të rinjtë meshkuj të komunitetit. Artikulli po ashtu theksonte edhe anët pozitive të internetit që fisi i ka njohur, si mundësia për të kontaktuar autoritetet në raste të problemeve shëndetësore apo të shkatërrimit të mjedisit.
Në padi po ashtu thuhet se mediat e tjera e kanë ripublikuar dhe shtrembëruar më tej raportin e NYT-së, përfshirë një titull në portalin TMZ që sugjeronte drejtpërdrejt varësinë nga pornografia.
Reagimi ndaj artikullit bëri që NYT të publikonte rreth një javë pas botimit të parë një vijim me titullin: “Jo, një fis i largët i Amazonës nuk është bërë i varur nga pornografia”. Në këtë shtesë thuhet se më shumë se 100 faqe interneti në të gjithë botën kishin publikuar tituj që gabimisht pohonin se anëtarët e fisit Marubo ishin bërë të varur nga pornografia.
Paditësit, udhëheqësi i komunitetit Enoque Marubo dhe aktivistja braziliane Flora Dutra, e cila ndihmoi fisin të shpërndajë 20 antena Starlink me vlerë 15.000 dollarë, deklarojnë se artikulli i NYT-së shkaktoi një “stuhi mediatike globale”. Sipas tyre, kjo i ka ekspozuar ndaj “poshtërimit, ngacmimeve dhe dëmit të pariparueshëm ndaj reputacionit dhe sigurisë së tyre”.
Artikulli i TMZ-së përfshinte video të Marubo dhe Dutra duke shpërndarë antenat, gjë që, sipas tyre, krijoi përshtypjen e gabuar se ata sollën në komunitet përmbajtje të dëmshme dhe seksualisht eksplicite, duke kontribuar në rënien e supozuar morale dhe shoqërore.