FIFA i pagoi Infantinos 1,76 milionë dollarë kompensim të padeklaruar

FIFA i pagoi Infantinos 1,76 milionë dollarë kompensim të padeklaruar

Pagesa nga kompania me bazë në SHBA, e krijuar për organizimin e Kupës së Botës, ngre pikëpyetje për respektimin e statutit të FIFA-s.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino mori në vitin 2024 një kompensim shtesë prej 1,76 milionë dollarësh, i cili nuk u bë publik nga organi qeverisës i futbollit botëror, duke ngritur dyshime për shkelje të mundshme të statutit të tij, raportoi sot gazeta “The Times”.

Sipas gazetës britanike, Infantino mori dy paga të veçanta: njërën nga FIFA në Zvicër, e cila u bë publike në raportin vjetor të organizatës, dhe tjetrën nga FWC2026 US Inc., kompania e krijuar për organizimin e Kupës së Botës 2026.

Në raportin vjetor të FIFA-s për vitin 2024, kompensimi i Infantinos u deklarua në vlerën prej 4,274 milionë frangash zvicerane (5,13 milionë dollarë) ndërsa një dokument i dorëzuar në Shërbimin e të Ardhurave të Brendshme të SHBA-së (IRS) tregoi se ai kishte marrë po atë vit edhe 1,76 milionë dollarë nga kompania organizatore.

Ish-kryetari i Komitetit të Qeverisjes së FIFA-s, Miguel Maduro e cilësoi mosdeklarimin e pagesave si “shkelje të qartë të statutit të FIFA-s” dhe bëri thirrje për një hetim të pavarur.

“Është shkelje e qartë e rregullave nëse ai paguhet me shuma të tjera nga kompani të lidhura me FIFA-n dhe kjo nuk bëhet publike. Statuti i FIFA-s përcakton detyrimin për transparencë të plotë”, tha Maduro për gazetën.

“The Times” raportoi se 626.229 dollarë nga kompensimi shtesë i Infantinos për vitin 2024 u klasifikuan si “kompensim tjetër që duhet të raportohet”. FIFA i hodhi poshtë akuzat për shkelje të statutit, duke deklaruar se i kishte përmbushur plotësisht kërkesat për raportim.

Një zëdhënës i FIFA-s tha se kompensimi dhe përfitimet kontraktuale të presidentit përcaktohen nga nënkomiteti i organizatës për kompensimin. “Këto përfitime raportohen tek autoritetet amerikane në përputhje me kërkesat për raportim”, tha zëdhënësi.

Kategoritë
Sport