Ferr në jug të Europës: Mijëra njerëz kërkojnë evakuim pas zjarrit shkatërrimtar, shkatërruar shtëpi e hotele

Një zjarr i madh në lindje të Kretës, në Greqi, ka detyruar mijëra njerëz të evakuohen dhe ka shkaktuar dëme të mëdha në shtëpi e biznese, ndërsa erërat e forta mbeten pengesë për zjarrfikësit në përpjekjet për ta vënë nën kontroll flakën.

Zjarr që shpërtheu mesditën e së mërkurës pranë fshatit Achlia u përhap shpejt për shkak të terrenit malor e të mbuluar me pyje, erërave stuhish dhe temperaturave të larta.

Sipas shërbimit grek të zjarrfikësve, zjarri tani ka tre fronte aktive – në Achlia, Ferma dhe Skinokapsali.

Zjarrfikësit thonë se kushtet krijojnë vatra të reja, gjë që e bën shumë të vështirë përmbajtjen e flakës.

Autoritetet kanë urdhëruar evakuimin masiv të hoteleve, dhomave të marra me qira dhe shtëpive në komunën e Fermës. Në operacion marrin pjesë zjarrfikës, policia dhe vullnetarë lokalë.

Manolis Tzarakis, kryetar i Shoqatës së hotelierëve të Ierapetrës dhe jug-lindjes së Kretës, tha të enjten për një radio vendore se janë evakuuar rreth 5,000 persona, kryesisht turistë të huaj. Të paktën 200 prej tyre po strehohen aktualisht në një palestrë sportive në Ierapetra.

Që nga mëngjesi i së enjte, në përpjekjet për fikjen e zjarrit janë të angazhuar 230 zjarrfikës me 13 skuadra të specializuara, 46 automjete zjarrfikëse dhe njësi patrullimi me dronë. Nga ajri po ndërhyjnë 10 helikopterë, ku njëri koordinon operacionet ajrore.

Autoritetet thonë se dëmet janë të mëdha – janë shkatërruar shtëpi, serra, vila, hotele dhe biznese në zonat bregdetare dhe ato të brendshme.

Në Agia Fotia janë dëmtuar shtëpi dhe objekte me qira, dhe sipas raporteve lokale, zona është pa energji elektrike. Të paktën katër të moshuar janë dërguar në spital për probleme respiratore nga tymi.

Rruga kryesore pranë Agia Fotia është mbyllur, dhe policia kërkon që banorët dhe turistët të shmangin çdo udhëtim të panevojshëm për shkak të ajrit të ndotur, nxehtësisë ekstreme dhe hirit që po bie nga qielli.

Autoritetet shëndetësore kanë vendosur të gjitha spitalet e Kretës në gjendje gatishmërie.

Para mesditës së së mërkurës u lëshuan alarme emergjence përmes sistemit 112, duke urdhëruar evakuime në Achlia, Ferma, Agia Fotia, Galini dhe më vonë në Koutsounari, duke udhëzuar banorët dhe turistët të lëvizin drejt Ierapetrës.

Disa persona të bllokuar në tokë raportohet se janë evakuuar me anije të vogla nga plazhet përreth.

Më herët këtë javë, në Turqi mbi 50,000 njerëz janë evakuuar për shkak të zjarreve në provincën e Izmirit.

Të paktën gjashtë persona në Europë kanë vdekur nga pasojat e temperaturave të larta, pasi kontinentin e godet një valë e hershme nënshiu. Rastet e fundit të vdekshmërisë u regjistruan në Spanjë dhe Itali, me viktima edhe në Francë.

Kategoritë
BotaLajme