Me bombat që bien çdo ditë, fëmijët ankohen se nuk mund të sigurojnë nevojat bazë të përditshme si ushqimi dhe uji
Mes bombardimeve të vazhdueshme në Gaza, tashmë prej gati tri javësh, fëmijët e kësaj enklave të rrethuar kanë folur për betejat e tyre të tmerrshme jetësore, veçanërisht në sigurimin e gjërave thelbësore të jetës së përditshme, si ushqimi dhe uji.
Duke folur për Anadolu, Abdul Latif Baker, dhjetëvjeçar, tregoi për betejën e tij të përditshme për mbijetesë, duke thënë: “Ne po luftojmë për të vendosur ushqim në tavolinë, duke aplikuar pjekjen e bukës sonë mbi zjarr në ajër të hapur, pasi pushtuesi i ka shndërruar furrat tona në rrënoja dhe shtëpitë i ka shkatërruar”.
“Ne mezi kemi qasje në ujë dhe ky ujë zakonisht nuk është i pijshëm”, shtoi ai.
Ndërkaq, Majd Al-Hessi, 12 vjeç, shprehet: “Dalim për të kërkuar karton dhe dru zjarri për të ndezur zjarre dhe për të përgatitur bukë”.
Majd shprehu shpresën për një fund të luftës, duke shtuar: “Unë nuk dua të humbas asnjë nga familja apo miqtë e mi”.
Gjashtëmbëdhjetë vjeçari Mohammad Bekr aspiron për një të ardhme ku mund të bëhet mjek ose inxhinier. Ëndrrat i ndan me mall të thellë, duke thënë: “Dëshirojmë të thithim ajrin e lirisë dhe të dëshmojmë çlirimin e atdheut tonë”.
Konflikti në Gaza, e cila ka qenë nën bombardimet izraelite dhe një bllokadë që nga 7 tetori, filloi kur grupi palestinez Hamas filloi operacionin “Tufani i Aksasë”, një sulm i papritur i shumanshëm me lëshime raketash dhe infiltrime në Izrael nga toka, deti dhe ajri.
Hamasi tha se inkursioni ishte në hakmarrje për sulmet ndaj Xhamisë Al-Aksa dhe dhunën në rritje nga kolonët izraelitë kundër palestinezëve.
Ushtria izraelite më pas nisi bombardime intensive në Rripin e Gazës.
Më shumë se 7.900 njerëz janë vrarë në konflikt – 6.546 palestinezë, duke përfshirë 2.704 fëmijë dhe 1.584 gra – dhe 1.400 izraelitë.
2,3 milionë banorët e Gazës kanë mbetur pa ushqim, ujë, ilaçe dhe karburant, dhe autokolonat e ndihmave të lejuara në Gaza kanë bartur vetëm një pjesë të asaj që nevojitet.