Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, reagoi pasi një dron rus i lëshuar drejt Ukrainës ra mbi një ndërtesë në Rumani, duke plagosur dy persona.
“Lufta agresive e Rusisë ka kaluar edhe një kufi tjetër. Një dron rus goditi një zonë të banuar dendur në Rumani, duke plagosur civilë. Në territorin e Bashkimit Evropian. Ne qëndrojmë plotësisht pranë Rumanisë dhe popullit të saj. Ndërsa vazhdojmë të forcojmë sigurinë dhe kapacitetet parandaluese, veçanërisht në kufirin lindor, do të vazhdojmë të rrisim presionin ndaj Rusisë. Po përgatisim paketën e 21-të të sanksioneve”, deklaroi von der Leyen.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Kaja Kallas, tha se rrëzimi i dronit përbën “një shkelje të qartë dhe serioze të sovranitetit të Rumanisë dhe hapësirës ajrore evropiane”.
“Nuk mund të lejohet që Moska të shkelë pa pasoja hapësirën ajrore evropiane. Ministrat e Jashtëm të BE-së dje u zotuan të shtojnë presionin ndaj Rusisë, të rrisin mbështetjen për Ukrainën dhe të investojnë më shumë në gatishmërinë mbrojtëse të Evropës”, tha ajo.
Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, shprehu “solidaritetin dhe mbështetjen e plotë” për Rumaninë, duke shtuar se “përshkallëzimi rus në territorin e BE-së është i pamatur dhe i papërgjegjshëm”.
Deri më tani, autoritetet ruse nuk kanë reaguar zyrtarisht lidhur me incidentin.










