Erdoğan uron Papën e ri Leoni XIV, shpreson për përpjekje të përbashkëta për t’i dhënë fund krizave humanitare

“Avancimi i mëtejshëm i marrëdhënieve midis Turqisë dhe Vatikanit do të japë një kontribut të rëndësishëm në përfundimin e tragjedive humanitare, veçanërisht në Gaza”, ka thënë presidenti Erdoğan.

Në një letër urimi për Papën e ri Leoni XIV, Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka shprehur shpresë për përpjekje të përbashkëta për t’i dhënë fund tragjedive humanitare, veçanërisht në Gaza, transmeton Anadolu.

Sipas një deklarate në llogarinë e Presidencës turke në X, Erdogan ka thënë: “Me rastin e zgjedhjes suaj në papat, ju shpreh urimet e mia të përzemërta në emër të kombit tim dhe timin”.

Erdoğan ka deklaruar se i ndjeri Papa Françesku, një burrë shteti i shquar, fitoi admirimin e gjithë botës përmes përpjekjeve të tij të mëdha për të vendosur paqen dhe tolerancën gjatë një kohe konfliktesh të intensifikuara rajonale dhe ndërkombëtare.

“Jam plotësisht i bindur se do ta vazhdojmë edhe me ju dialogun e sinqertë dhe konstruktiv që kemi vendosur me Papa Françeskun. Besimi im i sinqertë është se avancimi i mëtejshëm i marrëdhënieve midis Turqisë dhe Vatikanit do të japë një kontribut të rëndësishëm në forcimin e tolerancës në arenën ndërkombëtare dhe në përfundimin e tragjedive humanitare, veçanërisht në Gaza”, ka thënë presidenti Erdoğan.

Kategoritë
BotaLajme