Erdoğan: Luftojmë kundër një grupi terrorist me të kaluar plot masakra ndaj civilëve

“Në ngjarjen e ekzekutimit të 13 të pafajshmëve, përveç disa zërave të dobëta, nuk pamë askënd. Perëndim, ku jeni?”, tha presidenti turk, duke kritikuar mosreagimin ndaj masakrimit të 13 shtetasve turq nga PKK-ja.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, duke iu referuar luftës ndaj organizatës terroriste PKK, tha se vendi i tij po lufton kundër “një grupi terrorist me të kaluar plot masakra ndaj civilëve dhe të poshtëruar së fundmi me ekzekutimin e njerëzve të paarmatosur”, raporton Anadolu Agency (AA).

“Në cilëndo strofull të hyjnë, do t’i gjejmë ata atje ku kanë hyrë dhe do t’i vrasim”, tha Erdoğan gjatë një kongresi të Partisë së tij për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) në Trabzon.

Duke iu referuar vrasjes së 13 shtetasve turq nga grupi terrorist PKK në veri të Irakut dhe mosreagimit të botës kundër këtij akti, presidenti turk tha: “Në ngjarjen e ekzekutimit të 13 të pafajshmëve, përveç disa zërave të dobëta, nuk pamë askënd. Perëndim, ku jeni?”.

Ai tha se rajoni problematik në Irak, Gara, e cila konsiderohet e rëndësishme, tashmë ka rënë.

“Me lejen e Allahut, kjo punë ka mbaruar”, u shpreh ai.

“Do të qëndrojmë aq sa duhet në vendet që i kemi bërë të sigurta, për të shmangur sulme të ngjashme”, shtoi Erdoğan.

Trupat e 13 shtetasve turq u gjetën gjatë operacionit antiterrorist “Kthetra-Shqiponja 2” të Turqisë në Irakun verior.

Forcat turke filluan operacionin “Kthetra-Shqiponja 2” më 10 shkurt për të parandaluar PKK-në dhe grupet e tjera terroriste që të rivendosin pozicionet e përdorura për të kryer sulme terroriste ndërkufitare ndaj Turqisë.

Operacionet “Kthetra-Tigri” dhe “Kthetra-Shqiponja” filluan qershorin e kaluar për të garantuar sigurinë e njerëzve dhe kufijve të Turqisë.

Kategoritë
BotaLajme