Erdoğan dhe Putin zhvillojnë takim në Uzbekistan

Takimi me dyer të mbyllura u zhvillua në margjinat e samitit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO)

Presidenti i Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan, dhe homologu i tij rus Vladimir Putin u takuan në Samarkand të Uzbekistanit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Takimi me dyer të mbyllura u zhvillua në margjinat e samitit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO), ndërsa nuk u publikuan informacione të mëtejshme.

Megjithatë, pritet që në takimin midis dy liderëve të diskutohet marrëveshja historike e eksportit të grurit e nënshkruar këtë korrik nga OKB-ja, Türkiye, Rusia dhe Ukraina.

Më herët, Erdoğan tha se Türkiye dëshiron që në bazë të marrëveshjes, të rifillojnë gjithashtu edhe dërgesat e grurit nga Rusia, siç filluan eksportet nga Ukraina.

Më herët, Putin i kërkoi OKB-së të ndikojë ndaj BE-së për të hequr sanksionet nga eksportet ruse të plehrave bujqësore në shtetet në zhvillim.

Putin tha se Rusia është e gatshme të transferojë 300.000 tonë plehra bujqësore në vendet në zhvillim pa pagesë pasi të krijohen kushtet e nevojshme.

Erdoğan mori pjesë në samitin e liderëve të SCO-së si një mysafir special, ndërsa Türkiye merr pjesë në nivel presidencial për herë të parë që kur Ankaraja mori statusin e partnerit të dialogut me këtë organizatë në vitin 2012.

Ai mbajti fjalim në sesionin e dytë të samitit dhe po zhvillon takime dypalëshe me liderët e pranishëm.

Në margjinat e samitit, Erdoğan zhvilloi më parë takime me dyer të mbyllura me homologun e tij nga Azerbajxhani, Ilham Aliyev; presidentin kinez, Xi Jinping; presidentin mongol, Ukhnaagiin Khurelsukh; kryeministrin pakistanez, Shehbaz Sharif dhe kryeministrin indian, Narendra Modi.

E themeluar në vitin 2001, organizata SCO me tetë anëtarë synon të forcojë marrëdhëniet miqësore, të fqinjësisë së mirë dhe besimin e ndërsjellë midis shteteve të saj anëtare

Kategoritë
BotaLajme