Erdoğan: BE nuk arriti ta bëjë pjesën e saj për 4 milionë refugjatët në Turqi

Presidenti Erdoğan tha se “përderisa BE-ja i jep Greqisë 3 miliardë euro për 100 mijë refugjatë, ajo nuk mbajti përgjegjësinë e saj për 4 milionë refugjatët në Turqi”

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka kritikuar standardin e dyfishtë të Bashkimit Evropian (BE) për mbështetjen e Greqisë në çështjen e migrantëve, por jo edhe ndarjen e përgjegjësisë për 4 milionë refugjatët e strehuar në Turqi, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një konferencë mbi migrimin të mbajtur në një universitet në provincën Izmir të Egjeut, presidenti Erdoğan tha se “përderisa BE-ja i jep Greqisë 3 miliardë euro për 100 mijë refugjatë, ajo nuk mbajti përgjegjësinë e saj për 4 milionë refugjatët në Turqi”.

Erdoğan shtoi se refugjatët përgjatë kufirit turko-grek janë persekutuar në mënyrë të hapur nga forcat greke të sigurisë duke rezultuar në skena të turpshme.

“Njerëzimi ka dështuar jo vetëm në Meshe, por edhe në Egje dhe lumin Meric”, tha ai, duke përmendur lumin përgjatë kufirit turko-grek. Ai theksoi se Garda Bregdetare Greke vetëm në vitin 2020 kreu 9 mijë raste të kthimit të paligjshëm të azilkërkuesve në Egje.

Siç tha presidenti turk, bota po ashtu nuk ka ide se ku dhe kush rrëmbeu dhjetëra mijëra fëmijë sirianë të zhdukur që kërkonin strehim në Evropë.

Erdoğan tha se afërsisht 85 për qind e popullsisë së refugjatëve në botë nuk është pritur nga vendet e pasura, por nga vende që janë më pak të zhvilluara.

“Sipas shifrave nga Komisioni i Lartë i OKB-së për Refugjatët, vetëm 39.500 nga 1.4 milionë refugjatë që presin të vendosen në vendet e treta në botë në vitin 2020 u zhvendosën në 25 vende perëndimore”, tha ai.

Më tej, presidenti turk theksoi se mbi 500 vjet populli turk ka pritur refugjatët duke pranuar migrantë nga kultura dhe fe të ndryshme, si dhe shtoi se, “Ne nuk refuzuam askënd që erdhi në kufijtë tanë për identitetin e tyre etnik, fenë, kulturën, prirjen apo sektin e tyre”.

Duke kritikuar mbështetjen e SHBA-së për grupin terrorist YPG/PKK, Erdoğan tha se, “Ata nuk kujdesen për refugjatët, por akoma qëndrojnë me terrorizmin dhe terroristët”.

Në fushatën e saj terroriste mbi 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e rreth 40 mijë personave, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnje. YPG-ja është dega siriane e PKK-së.

YPG/PKK-ja është dokumentuar duke persekutuar sirianë, përfshirë shumë refugjatë në Sirinë veriore përgjatë kufirit jugor të Turqisë.

Turqia strehon pothuajse 4 milionë refugjatë, më shumë se çdo vend tjetër në botë. Ky vend ka qenë një pikë kryesore tranziti për azilkërkuesit që synojnë të kalojnë në Evropë për të filluar jetë të reja, veçanërisht ata që ikin nga lufta dhe persekutimi.

Sipas një marrëveshje të nënshkruar në muajin mars të vitit 2016, BE-ja përcaktoi 6 miliardë euro për të mbështetur refugjatët sirianë në Turqi, por Turqia është ankuar se fondet janë alokuar me vonesë dhe jo në mënyrë të plotë.

Kategoritë
BotaLajme