Ekstradohet nga Kosova në SHBA administratori kryesor i tregut kriminal online, ngarkohet për mashtrim dhe vjedhje të identitetit

Liridon Masurica (33-vjeçar) nga Gjilani i njohur si “@blackdb” është ekstraduar nga Kosova në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) si administrator kryesor i BlackDB.cc- tregu kriminal online. Ai ngarkohet për mashtrim dhe vjedhje të identitetit të qytetarëve.

Prokurori i Shteteve të Bashkuara, Gregory W. Kehoe, njofton se Masurica akuzohet për një akuzë të komplotit për të kryer mashtrime me pajisje të qasjes dhe pesë akuza për përdorim mashtrues të 15 ose më shumë pajisjeve të qasjes të paautorizuara, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas njoftimit të Zyrës së Prokurorit të Shteteve të Bashkuara në Distriktin e Mesëm të Floridës, nëse dënohet për të gjitha akuzat, Masurica mund të përballet me një dënim maksimal prej 55 vitesh burgim.

“Masurica, shtetas dhe banues i Kosovës, është dërguar në paraburgim nga autoritetet në Kosovë më 12 dhjetor 2024 dhe është ekstraduar më 9 maj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në bazë të marrëveshjes së ekstradimit ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Aty thuhet se Masurica bëri paraqitjen e tij fillestare në gjykatën federale në Tampa më 12 maj 2025 para gjykatëses Lindsay Saxe Griffin dhe u urdhërua të ndalohet në pritje të gjyqit.

“Sipas aktakuzës, Masurica ishte administratori kryesor i BlackDB.cc- një treg kriminal në internet që funksionon nga viti 2018 e deri më tani. BlackDB.cc ofroi në mënyrë të paligjshme për shitje kredencialet e komprometuara të llogarisë dhe serverit, të dhënat e kartës së kreditit dhe informacione të tjera të identifikueshme personalisht të individëve të vendosur kryesisht në Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë ata që ndodhen brenda distriktit të mesëm të Floridës. Pasi bliheshin, kriminelët kibernetikë përdorën artikujt e blerë në BlackDB.cc për të lehtësuar një gamë të gjerë aktivitetesh të paligjshme, duke përfshirë mashtrimin tatimor, mashtrimin e kartave të kreditit dhe vjedhjen e identitetit”, thuhet më tej në njoftim.

Aty theksohet se i akuzuari i lartpërmendur sikurse çdo i pandehur prezumohet i pafajshëm, përveç nëse provohet fajësia.

Sipas njoftimit, hetimi është udhëhequr nga FBI në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimit Kibernetik të Policisë së Kosovës.

“Ai do të ndiqet penalisht nga Ndihmës-prokurori i Shteteve të Bashkuara, Carlton C. Gammons. Një ndihmë e konsiderueshme u dha nga Zyra e Atasheut Ligjor të FBI-së në Sofje, Bullgari dhe Zyra e Departamentit të Drejtësisë për Çështjet Ndërkombëtare për të siguruar arrestimin dhe ekstradimin e Masuricës. Po ashtu, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës dhe Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike të Policisë së Kosovës kanë ofruar ndihmë të substanciale në arrestimin e Masuricës”, thuhet në fund. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Kategoritë
BotaLajmeVendi