Eksperti gjerman: Nuk ka vend më të mirë sesa Stambolli për bisedimet Rusi-Ukrainë

Shkencëtari politik në Universitetin e Lirë të Berlinit, Hajo Funke tha se nuk ka vend më të përshtatshëm sesa Stambolli për negociatat që do të mbahen midis Ukrainës dhe Rusisë

Shkencëtari politik në Universitetin e Lirë të Berlinit, Hajo Funke tha se nuk ka vend më të përshtatshëm sesa Stambolli për negociatat që do të mbahen midis Ukrainës dhe Rusisë.

Më shumë se 3 vjet kanë kaluar që nga fillimi i luftës midis Rusisë dhe Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Në një deklaratë më 11 maj presidenti rus Vladimir Putin propozoi rifillimin e bisedimeve të drejtpërdrejta në Stamboll pa parakushte me Ukrainën.

Poashtu edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se do ta priste Putinin në Turqi atë ditë. Këto zhvillime i kanë kthyer të gjithë sytë, vëmendjen në bisedimet e paqes që do të organizohen nga Turqia nesër në Stamboll.

Shkencëtari politik Funke në një prononcim për Anadolu foli mbi përpjekjet e fundit për sigurimin e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës.

– “Takimi në Stamboll, një shenjë shprese”

Funke tha se negociatat midis Rusisë dhe Ukrainës në Stamboll janë zhvilluar edhe në mars të vitit 2022. Ai theksoi se “Takimi në Stamboll është një shenjë shprese”.

Ai rikujtoi se gjatë periudhës në fjalë u arritën rezultate gjithëpërfshirëse të negociatave nën ndërmjetësimin e presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan. “Kjo më vonë dështoi për shkak të ndërhyrjes së NATO-s, e cila nuk e donte dhe e pengoi atë që donte Zelenskyy. Sidomos SHBA-ja nën drejtimin e (Joe) Biden dhe Mbretëria e Bashkuar nën drejtimin e (Boris) Johnson”, tha Funke.

Shkencëtari politik Funke shtoi se “Johnson më vonë në gjysmën e parë të prillit shkoi në Kiev dhe dha sinjalin për të vazhduar luftën ndërsa edhe sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin tha se ‘Ne duam ta dobësojmë Rusinë në mënyrë që ajo të mos kryejë më kurrë një agresion të tillë’. Ky ishte një sinjal për rritjen e tensioneve”.

Sipas tij, gjatë periudhës në fjalë, 30 mijë njerëz u vranë dhe u plagosën në luftë ndërsa tani ky numër është rritur në qindra mijëra. “Është koha për të rinisur sinjalin e Stambollit. Vladimir Putin e tha këtë duke thënë ‘ne duam të vazhdojmë bisedimet e ndërprera'”, tha Funke.

Duke theksuar se Turqia në mënyra të ndryshme u pranua si ndërmjetëse nga të dyja palët, Funke tha se edhe qasja e Erdoğanit ka qenë efektive në këtë drejtim. “Në këtë drejtim, Stambolli është vendi i duhur. Nuk ka vend më të mirë” deklaroi Funke.

Pasi bëri të ditur se Riadi ose kryeqytetet e Evropës Perëndimore nuk janë të përshtatshme për këtë, Funke tha më tej “Pra, Stambolli është shansi më i mirë dhe ndoshta i fundit për të arritur një marrëveshje”.

I pyetur nëse Putini pritej të merrte pjesë në bisedime, Funke shpjegoi se “Putini do të vijë vetëm kur të jetë e qartë se (bisedimet) do të jenë të suksesshme”.

“Lojëra të vogla si ‘nëse vjen ai, do të vij edhe unë’ nuk janë diçka serioze”, theksoi Funke duke shtuar se negociatat serioze bazohen në përputhjen e interesave të të dyja palëve.

– “Siguria dhe pajtimi territorial, dy pika themelore”

Funke tha se sfida e madhe për të dy vendet është nëse mund të arrihet përparim në sigurinë dhe pajtimin territorial të të dy vendeve. “Këto janë dy pikat themelore. Nëse bëhet përparim deri të enjten në këtë kohë, atëherë do të ishte një fillim i mirë. Por, këtë do ta dimë vetëm të enjten”, tha ai.

Funke komentoi gjithashtu vizitën e udhëheqësve evropianë në Kiev më 10 maj, duke thënë se “ky ishte një sinjal, rëndësia e të cilit nuk duhet ekzagjeruar”.

Ai kritikoi deklaratën e kancelarit gjerman Friedrich Merz se Bashkimi Evropian (BE) do të shtrëngonte sanksionet nëse Rusia nuk i pranon propozimet. “Sigurisht, kjo (vizitë) ishte një shenjë solidariteti. Detyrimi i gjithçkaje me ultimatume si kancelari ynë gjerman Merz, ka dështuar gjithsesi në këto ditë. Nuk jepet ultimatum pa e ditur se do të sjellë diçka”, tha Funke.

Më tej ai potencoi se presidenti i SHBA-së, Trump u kërkoi presidentit ukrainas dhe atij rus të përqendrohen në këtë çështje dhe të marrin pjesë seriozisht në negociata. “Këta njerëz mund të vijnë (në Stamboll). Ata mund të mos vijnë për momentin, ose vetëm njëri prej tyre do të vijë dhe pastaj do të largohet”, nënvizoi Funke.

Funke tha se nuk do të dukej serioze nëse njëri prej tyre do të zemërohej sepse tjetri nuk do të paraqitej. “Bëhet fjalë për më shumë se kaq. Bëhet fjalë për përfundimin e luftës, për shmangien e dhjetëra mijëra, qindra mijëra të vdekurve dhe të plagosurve”, shtoi ai.

Duke theksuar se ka përshtypjen që negociatat do të vazhdojnë edhe nëse këtë herë dështojnë, Funke tha: “Nëse populli ukrainas, qeveria ukrainase, Zelenskyy apo të tjerët kanë vërtet ndonjë shans për të arritur marrëveshje, atëherë edhe Putini ka. Trump e dëshiron këtë dhe po i vë të dyja qeveritë nën presion serioz”.

Në pyetjen se “Cili mund të jetë roli i Gjermanisë, Francës dhe Britanisë?”, Funke u përgjigj: “Ajo që kanë bërë deri më tani është të rrisin presionin për të treguar se mbështesin qeverinë ukrainase. Por, është tepër vonë për këtë. Ata mund të kishin filluar iniciativa paqeje gjatë këtyre tre viteve. Ne e kemi kërkuar këtë në mënyra të ndryshme, por nuk ndodhi. Kjo tregon dobësinë e tyre”.

Kategoritë
BotaLajme