Ekspertët: SHBA dhe Gjermania të gjejnë mënyra alternative për të ndihmuar Ukrainën

Senati amerikan do të shqyrtojë një paketë ndihme urgjente për Ukrainën, Izraelin, Tajvanin dhe aleatët e tjerë, por fati i ndihmave për Ukrainën është i pasigurt në Dhomën e Përfaqësuesve të udhëhequr nga republikanët, me ish-presidentin Donald Trump që e kundërshton atë. Ndërkohë, kancelari gjerman Olaf Scholz ishte në Shtëpinë e Bardhë të premten për të diskutuar në lidhje me ndihmat për Ukrainën.

Rusia vijon të godasë Kievin dhe qytete të tjera të Ukrainës me raketa dhe dronë, ndërsa si qëllim ka të shkaktojë dëme në infrastrukturën jetike të vendit. Së fundmi një sulm me dron në qytetin ukrainas të Kharkivit shkaktoi vrasjes e 7 personave, përfshirë tre fëmijë të vegjël.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy të premten i dha urdhrin “Ylli i Artë”, nderimi më i lartë i vendit, ish-shefit të ushtrisë Valerii Zaluzhnyi. Ceremonia ndodhi një ditë pasi zoti Zelenskyy e zëvendësoi atë.

Në Uashington, Presidenti Joe Biden u takua të premten me kancelarin gjerman Olaf Scholz; një vizitë kjo që në qendër të axhendës kishte ndihmat ushtarake për Ukrainën. Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania janë dy donatorët kryesorë të ndihmës ushtarake për Ukrainën. Ndihmat amerikane janë bllokuar për javë të tëra nga Kongresi, për shkak të kundërshtisë në mesin e shumë ligjvënësve republikanë.

Kategoritë
BotaLajme