Ekipet turke të vaksinimit po shënjestrojnë edhe fshatrat e izoluara

Duke udhëtuar nëpër rrugët e mbuluara me akull dhe borë, ekipet e vaksinimit në Turqi kanë pasur detyrë më të vështirë. Ata kanë shkuar nëpër fshatrat malore të izoluara në Turqi, pasi Qeveria kërkon të vaksinohen 60 për qind e popullatës kundër koronavirusit gjatë tre muajve të ardhshëm, shkruan agjencia AP.

Pas vështirësive të shumta, punonjësit mjekësorë arritën të premten për të vaksinuar fshatarët më të moshuar në Gumuslu, një fshat i vogël me rreth 350 banorë në provincën Sivas.

“Është mjaft sfidë e vështirë të arrish këtu. Gjeografia është e vështirë, klima është e vështirë, siç mund ta shihni”, ka thënë mjeku Rustem Hasbek, kreu i Shërbimit Shëndetësor të Sivasit.

Turqia ka nisur vaksinimin me vaksinën kineze kundër koronavirusit të prodhuar nga Sinovac më 14 janar dhe deri më tash ka dhënë 8.2 milionë doza. Vaksina e Sinovacut jepet në dy doza, të ndara nga 28 ditë mes vete. Ankara ka porositur edhe 4.5 milionë doza të vaksinës anti-Covid të Pfizer/BioNTech.

Ministri i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, ka thënë se Turqia synon të vaksinojë 52.5 milionë banorë deri në fund të majit. Deri më tash, rreth 10 për qind e popullatës së Turqisë prej afro 83 milionë banorë, kanë marrë së paku nga një dozë të vaksinës anti-Covid.

Punonjësit shëndetësorë, të moshuarit dhe persona me gjendje më të rëndë shëndetësorë kanë qenë në mesin e të parëve që kanë marrë dozën e vaksinës.

“Nuk mund të shkojë në spital. Kam probleme me zemër dhe sëmurem sa herë hipi në veturë. Mjekët erdhën këtu të na vaksinojnë”, thotë Zeynep Yigit 70-vjeçare, banore në Gumuslu.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, pritet të njoftojë për zbutjen e masave të hënën.

Prapë numri i të infektuarve në Turqi në ditët e fundit ka mbetur i lartë. Turqia ka regjistruar më tepër se 9000 raste të reja me koronavirus.

Që nga fillimi i pandemisë janë regjistruar 2.6 milionë raste pozitive me Covid-19 dhe janë konfirmuar afro 28.500 të vdekur.

Kategoritë
BotaLajme