Egjipti dhe Siria diskutojnë heqjen e sanksioneve të SHBA-së dhe shkeljet e Izraelit

Ministri i Jashtëm i Egjiptit, Badr Abdelatty shpreh kundërshtim kategorik ndaj shkeljeve të përsëritura të sovranitetit të Sirisë nga Izraeli

Ministrat e Jashtëm të Egjiptit dhe Sirisë zhvilluan bisedime telefonike për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit politike, ekonomike dhe të sigurisë në Siri, transmeton Anadolu.

Ministri i Jashtëm egjiptian, Badr Abdelatty dëgjoi pikëpamjet e homologut të tij sirian, Asaad al-Shaibani, të mërkurën në mbrëmje në lidhje me pasojat e pritura të një vendimi të fundit të SHBA-së për të hequr sanksionet ndaj Sirisë, tha Ministria e Jashtme e Egjiptit në një njoftim.

Diskutimet u përqendruan gjithashtu në shkeljet e përsëritura të sovranitetit sirian nga Izraeli.

Abdelatty riafirmoi “mbështetjen e plotë të Egjiptit për nisjen e një procesi gjithëpërfshirës politik të udhëhequr nga Siria, të lirë nga ndërhyrjet e huaja ose diktatet e jashtme”, thuhet në deklaratë. Ai theksoi se “një proces i tillë duhet të ruajë unitetin, stabilitetin e Sirisë dhe përfshirjen e të gjithë komponentëve të popullit sirian, duke promovuar një qasje kombëtare me bazë të gjerë”.

Kryediplomati egjiptian shprehu gjithashtu “refuzimin kategorik të vendit të tij ndaj shkeljeve të përsëritura të sovranitetit të Sirisë nga Izraeli dhe çdo veprimi që do të dëmtonte integritetin territorial të vendit”.

Të dy ministrat diskutuan gjithashtu mbi “përpjekjet për të luftuar terrorizmin”, me Abdelatty që theksoi rëndësinë e Sirisë si burim stabiliteti në rajon. Thirrja erdhi mes përpjekjeve diplomatike rajonale për të riangazhuar Sirinë, pas viteve të izolimit për shkak të konfliktit dhe tensioneve më të gjera gjeopolitike.

Bashar al-Assad, udhëheqësi i Sirisë për gati 25 vjet, iku në Rusi në dhjetor 2024, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath, e cila kishte qenë në pushtet që nga viti 1963. Një administratë e re kalimtare e udhëhequr nga presidenti Ahmed al-Sharaa u formua në Siri në janar.

Kategoritë
BotaLajme