Edi Rama mahnit publikun me sjelljen ndaj një maceje gjatë emisionit

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka tërhequr vëmendje dhe ka fituar simpatinë e publikut për mënyrën e tij të sjelljes ndaj një maceje gjatë episodit të fundit të podcastit “Flasim”. Episodi, i titulluar “Fluturo… fluturo… mace”, u prit me reagime shumë pozitive në rrjetet sociale.

Gjatë emisionit, ku Rama bisedonte me të rinj nga Shqipëria për tema politike dhe shoqërore, një nga të ftuarat solli me vete edhe macen e saj. Maceja u ambientua shpejt në studio dhe në një moment iu afrua kryeministrit për të pirë ujë. Rama reagoi menjëherë, duke e ndihmuar macen të pijë ujë nga gota pranë tij, gjest që u vlerësua gjerësisht nga ndjekësit.

Më pas, maceja qëndroi pranë Ramës gjatë gjithë emisionit dhe në një moment u ul edhe në prehrin e tij, duke krijuar pamje të ngrohta dhe miqësore.

Përveç momenteve me macen, Rama foli edhe për zhvillime politike. Ai përmendi vizitën e tij të fundit në Jordani, ku u prit nga Mbreti Abdullah II, duke theksuar bashkëpunimin në kuadër të Procesit të Akabës, një iniciativë kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Rama bëri të ditur se ky proces pritet të zgjerohet vitin e ardhshëm në Shqipëri.

Podcasti “Flasim”, që transmetohet prej më shumë se një viti e gjysmë, synon dialog të hapur me personalitete të njohura dhe qytetarë të zakonshëm, duke trajtuar tema nga politika, kultura, arti dhe jeta shoqërore.

Kategoritë
LajmeRajoni