Në Uashington mbrëmë u mbajt eventi i UFC-së “Freedom 250”, ngjarja e parë e këtij lloji e organizuar përpara Shtëpisë së Bardhë, selisë së presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Presidenti aktual i SHBA-së, Donald Trump, e kishte paralajmëruar këtë aktivitet prej muajsh, duke e paraqitur si një “dhuratë” për Amerikën me rastin e 250-vjetorit të pavarësisë së vendit.
Pavarësisht kritikave të shumta dhe përpjekjeve për ta ndaluar organizimin e tij përmes gjykatave, eventi u zhvillua mbrëmë, pikërisht në ditëlindjen e 80-të të Trumpit.
Për një natë, Shtëpia e Bardhë u shndërrua në një arenë luftimesh. Përveç lëndinës jugore, ku ishte vendosur oktagoni i UFC-së, u shfrytëzuan edhe pjesë të tjera të kompleksit presidencial.
Luftëtarët u përgatitën për duelet e tyre brenda Shtëpisë së Bardhë dhe më pas kaluan nëpër korridoret e saj drejt oktagonit, ku i prisnin 4.300 mysafirë të ftuar me ftesa të shpërndara nga vetë Trumpi.
Mes të pranishmëve ishin anëtarë të familjes së tij, figura të njohura që e mbështesin, si dhe pjesëtarë aktivë të ushtrisë amerikane, të cilëve presidenti u kishte ndarë 1.200 bileta.
Presidenti i UFC-së, Dana White, kishte gjithashtu mundësinë të ftonte disa personalitete, por shumica e të ftuarve u përzgjodhën nga Trump.
Për qytetarët që nuk arritën të siguronin bileta, u organizua shikim publik në parkun Ellipse. Sipas mediave amerikane, në këtë park ishin të pranishëm mes 80 mijë dhe 85 mijë persona.
Sa i përket infrastrukturës, arena e përkohshme, e njohur me nofkën “The Claw” (Kthetra), kërkoi tre javë për t’u ndërtuar. Në projekt morën pjesë rreth 800 punëtorë, sipas raportimit të Reuters.
Në qendër ndodhej oktagoni i njohur i UFC-së, ndërsa përreth dhe mbi të ishte ngritur një strukturë çeliku që siguronte mbrojtje nga shiu dhe mbante sistemet e ndriçimit.
Mediat amerikane vlerësojnë se e gjithë ngjarja kushtoi rreth 60 milionë dollarë, përfshirë ndërtimin e strukturës, pagesat për luftëtarët dhe shpenzime të tjera organizative.
Zyrtarët e UFC-së kishin deklaruar më herët se ka gjasa që organizata të mos realizojë fitim nga ky aktivitet, por e konsiderojnë atë si një investim të madh marketingu.












