Dodik shpall fundin e rrugës drejt Bashkimit Evropian, u bën thirrje kroatëve të punojnë për “zgjidhjen” e statusit të tyre

Kryetari i SNSD-së, Milorad Dodik, në një konferencë për shtyp pas vizitës në Uashington tha se kjo vizitë nuk ishte as protokollare dhe as e rastësishme.

“Kjo nuk është rastësi dhe nuk është protokoll. Ky ishte një qëndrim thelbësor që tregoi se Republika Srpska ka arritur ta kapërcejë dokumentin përmes të cilit, me izolime, sanksione dhe bojkotime, u përpoqën të shkatërronin ekonominë tonë, të shkaktonin pakënaqësi te njerëzit dhe të ndikonin në uljen e besimit ndaj Republikës Srpska dhe ekzistencës së saj,” tha Dodik.

Ai shtoi se kjo nuk ka pasur sukses dhe akuzoi, siç u shpreh, një “grup të bashkuar kriminal nga Sarajeva, veçanërisht të huaj si Murphy dhe Schmidt, të udhëhequr nga Sena Uzunović, Zlatko Lagumdžija, Sven Alkalaj, Beqireviq, Konakoviq dhe të gjithë ata që, me gënjeshtra dhe ankimime nëpër destinacione të ndryshme, u përpoqën ta njollosin Republikën Srpska dhe Milorad Dodikun”.

“Këtë nuk e konsiderojmë fitore ndaj tyre, por sukses në afirmimin e Republikës Srpska. Ajo nuk ishte temë për t’u shmangur; përkundrazi, flitej vetëm se si duhet të na ndihmojnë. U takuam me mbi 14 kongresmenë, një apo dy senatorë, ministrin e mbrojtjes, kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit të SHBA-së dhe të gjithë e dinë se ne shkuam atje si përfaqësues të Republikës Srpska — jo si përfaqësues të Bosnjë-Hercegovinës, por si përfaqësues të RS-së,” tha Dodik.

Ai pretendoi se më herët nga Sarajeva është rrënuar politika e jashtme përmes veprimeve të njëanshme të Konakoviqit, Biserës Turković, anëtarëve të Presidencës dhe ambasadorëve boshnjakë.

Dodik përsëriti pretendimin se “myslimanët po ushtrojnë presion mbi të krishterët” me qëllim që t’ua ulin autonominë.

“Kam pasur një bisedë të veçantë me një njeri të rëndësishëm dhe do të më gëzonte nëse do të arrinim — edhe pse nuk jam i sigurt — që të vendosen sanksione ndaj Schmidtit dhe disa personave në Sarajevë, për shkak të një ndërmarrjeje të bashkuar kriminale dhe abuzimeve kundër Republikës Srpska,” tha Dodik.

Ai njoftoi se po e tërheq ofertën prej dy miliardë eurosh “për myslimanët për ndarje paqësore”, duke shtuar se ndarja do të ndodhë gjithsesi në mënyrë paqësore, por kjo ofertë më nuk vlen.

“Shumë njerëz në Departamentin e Shtetit dhe rreth Shtëpisë së Bardhë e Kongresit flasin për pozitën e pabarabartë të kroatëve dhe këtë e shohin si rrezikim të dukshëm të të krishterëve në Bosnjë-Hercegovinë. Do të duhet t’i inkurajojmë kroatët të kërkojnë më fuqishëm zgjidhjen e statusit të tyre, por unë nuk flas në emër të tyre. Ata e dinë se do ta mbështes çdo afirmim të të drejtave të tyre si popull konstituiv, ashtu siç parashihet me Marrëveshjen e Dejtonit,” tha Dodik.

Ai shtoi se do të vazhdojë bashkëpunimin me Izraelin për afirmimin e “të drejtës për vetëvendosje”.

Dodik përsëriti se do të punojë për pavarësinë e Republikës Srpska dhe se nuk do të heqë dorë nga kjo, duke pretenduar se Marrëveshja e Dejtonit kurrë nuk është menduar që Bosnjë-Hercegovina të ekzistojë përgjithmonë.

“Duhet të ndalen të gjitha aktivitetet rreth asaj që rrejshëm paraqitet si rruga drejt Evropës — çfarë rruge drejt Evropës? Rrugët tona duhet të çojnë drejt Amerikës, Rusisë, Izraelit dhe Serbisë. Këto janë rrugët tona. Evropa më nuk mund ta ndihmojë as veten,” përfundoi Dodik.

Kategoritë
LajmeRajoni