Djali i Bidenit dyshohet për afera korruptive

Hunter Biden , djali i presidentit të zgjedhur, Joe Biden , po hetohet nga Departamenti amerikan i Drejtësisë mbi dyshimet se ka kryer evazion fiskal.

Pak ditë para se Kolegji Zgjedhor amerikan të certifikojë fitoren e presidentit të zgjedhur, Joe Biden , mësohet se djali i tij biznesmen dyshohet për evazion fiskal.

Hunter Biden  njoftoi se prokurorët e shtetit të Delwuerit kanë nisur hetimet për probleme të aspektit ligjor.

Sipas burimeve të gazetës “The New  York Times” çështja është hapur në fund të vitit 2018.

“Këtë çështje po e marr shumë seriozisht por kam besim se hetimi profesional dhe objektiv do të tregojë se kam vepruar sipas ligjit, me këshillën edhe të profesionistëve fiskalë,” njoftoi Biden .

Avokati 50-vjeçar është themelues i disa firmave private të investimit.

Vite më parë ai shërbeu edhe në bordin e kompanisë ukrainase të gazit, “Burisma”, duke u përfolur se e kishte përfituar postin për shkak të të atit, Joe Biden , atëkohë zv.president i Amerikës.

Hetimet për arsye të mundshme nepotizmi provokuan atë që njihet si skandali ukrainas, i cili rrezikoi këtë vit edhe shkarkimin e presidentit aktual, Donald Trump.

Në muajt e fundit mediet raportuan edhe për lidhje të dyshimta biznesi mes Bidenit të Ri dhe sipërmarrësve kinezë.

Trumpi që para zgjedhjeve të 3 nëntorit ftoi autoritetet e drejtësisë të hetojë aferat e djalit të rivalit demokrat, duke e akuzuar familjen e tij si të korruptuar dhe si një organizatë kriminale.

Presidenti i zgjedhur, Biden, i ka mohuar akuzat se ka përdorur postet e larta politike për pasurimin personal të familjes ndërsa i ka dalë në mbrojtje djalit të tij të vogël.

Kategoritë
BotaLajme