Disa persona besohet se kanë vdekur pasi një aeroplan i vogël u rrëzua në një rrugë banimi në San Diego të enjten në mëngjes.
Asnjë banor nuk u plagos rëndë, por pati “më shumë se një viktimë” midis pasagjerëve në bord, tha ndihmës shefi i zjarrfikësve Dan Eddy.
Disa shtëpi u shkatërruan dhe makina u përfshinë nga flakët pasi avioni privat u rrëzua në lagjen rezidenciale Murphy Canyon të qytetit. Policia tha se rreth 100 persona janë evakuuar nga zonat përreth.
Aeroplani i vogël ishte një Cessna 550, tha Administrata Federale e Aviacionit, i cili mund të transportojë tetë deri në dhjetë persona, përfshirë pilotin.
Autoritetet nuk kanë zbuluar identitetin e pasagjerëve në bord.
Në një konferencë për shtyp, ndihmës shefi i departamentit të zjarrfikësve, Dan Eddy, tha se kishte “karburant për avionë kudo” dhe se qëllimi kryesor ishte të kontrolloheshin të gjitha shtëpitë dhe të transportoheshin njerëzit në vende të sigurta.
Ai konfirmoi se pati një “goditje të drejtpërdrejtë në disa shtëpi”. Besohet se askush në ato shtëpi nuk është plagosur rëndë.
Policia e San Diegos tha në mediat sociale se një person ishte shtruar në spital dhe dy të tjerë u trajtuan dhe u liruan. Ata shtuan se zona pritej të ishte e mbyllur gjatë gjithë ditës.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë makinat e djegura të shpërndara matanë rrugës.
Banori vendas Christopher Moore i tha Associated Press se ai dhe gruaja e tij u zgjuan nga një zhurmë e fortë në orët e para të mëngjesit.
Moore tha se ata shikuan nga dritarja dhe panë tym, dhe çifti rrëmbeu dy fëmijët e tyre të vegjël dhe iku me vrap. asi dolën në rrugë, panë një makinë të përfshirë nga flakët.
“Ishte padyshim e tmerrshme, por ndonjëherë duhet thjesht të ulësh kokën dhe të shkosh në një vend të sigurt”, tha Moore.
Një marins që jeton pranë vendit të rrëzimit i tha Fox News se dëgjoi një “zhurmë të çuditshme fishkëllimesh” të ndjekur nga një “bum dhe një dridhje në shtëpi”.
Avioni dukej se po shkonte drejt Montgomery Field, një aeroport i vendosur 10 km (gjashtë milje) në veri të qendrës së San Diegos.