Grupi prej 67 deputetësh në Parlamentin Evropian i kanë shkruar një letër Ursulës von der Leyen, presidentes së Komisionit Evropian, duke vënë në pikëpyetje anëtarësimin e mëtejshëm të Hungarisë në zonën Schengen, pas vendimit të Budapestit për të lehtësuar kushtet e vizave për rusët dhe bjellorusët.
Letra, e iniciuar nga eurodeputeti lituanez Petras Auštrevičius dhe eurodeputetja çeke Danuše Nerudová, ka mbledhur nënshkrimet e gjithsej 67 eurodeputetëve.
“Kryeministri Orban qartazi po vë në provë durimin e BE-së gjithnjë e më shumë. Këtë muaj, qeveria hungareze ka zgjatur programin e saj të imigracionit ‘kartë kombëtare’, duke lejuar ‘gastarbajterët’ nga Bjellorusia dhe Rusia të hyjnë në territorin e tyre. Poseduesi i një karte të tillë lejohet të punojë në Hungari pa kontroll të sigurisë dhe mund të sjellë familjen e tij në vend”, thuhet në letër.
Eurodeputetët e kanë quajtur vendimin e Orbanit “të papërgjegjshëm” dhe një kërcënim të rëndësishëm për sigurinë e të gjitha vendeve anëtare të BE-së dhe qytetarëve të tyre.
“Këta ‘punëtorë’ me viza hungareze do të kenë mundësinë të lëvizin lirshëm në gjithë zonën Schengen. Pa miratimin e duhur, ekziston rreziku që këta shtetas jo-evropianë të mund të forcojnë rrjetin e spiunazhit rus brenda BE-së. Detyra jonë, si institucione evropiane, është të mbrojmë qytetarët evropianë nga këto kërcënime, dhe jo të hapim plotësisht kufijtë ndaj vendeve që na konsiderojnë armiqtë e tyre”, thuhet në letër.
Më tej thuhet se nëse qeveria hungareze refuzon të ndryshojë politikën e saj, Komisioni dhe të gjithë përfaqësuesit e BE-së duhet të vënë në pikëpyetje praninë e Hungarisë në zonën Schengen duke futur masa të reja për mbrojtjen e qytetarëve evropianë, duke përfshirë kontrolle të reja në kufijtë hungarezë, nëse është e nevojshme.
Ata gjithashtu shtuan se “shtetet e tjera të zonës Schengen kanë të drejtë të refuzojnë njohjen e vizave të lëshuara nga Hungaria për shtetasit rusë dhe bjellorusë, me pasojat përkatëse”.
“Siguria e qytetarëve tanë duhet të jetë shqetësimi i parë i të gjitha institucioneve evropiane dhe ne llogarisim në angazhimin e plotë të Komisionit për këtë çështje”, përfunduan eurodeputetët.
BE-ja më 1 gusht kërkoi nga Hungaria që t’i përgjigjej shqetësimeve se vendimi i Budapestit për të lehtësuar regjimin e vizave për shtetasit rusë dhe bjellorusë rrit rrezikun e spiunazhit në bllok.
Grupi më i madh në Parlamentin Evropian, Partia Popullore Evropiane, më parë ishte ankuar se lehtësimi i rregulloreve mund të krijonte “vrima serioze në ligj për aktivitetet e spiunazhit”.
Lituania iu drejtua Komisionit Evropian në lidhje me vendimin e Hungarisë për lehtësimin e kufizimeve të hyrjes për shtetasit rusë dhe bjellorusë.