Japonezi Iwao Hakamada kaloi 40 vjet në burg duke pritur ekzekutimin e dënimit me vdekje dhe u lirua vitin e kaluar. Gjykata njoftoi sot se ai është dëmshpërblyer me 200 milionë jenë (1,41 milionë dolar), që përkthehet në 1.200 jenë (75 dolar) për çdo ditë të kaluar në burg.
Ky ish-boksier, tani 89 vjeç, ishte dënuar edhe pse ishte i pafajshëm. Ai u dënua në vitin 1968 për një vrasje katërshe, megjithëse këmbëngulte se policia kishte fabrikuar provat kundër tij.
Hakamada ka kaluar më shumë kohë në burg sesa çdo i dënuar tjetër me vdekje në botë. Televizioni shtetëror japonez NHK raportoi se ai u lirua pasi analizat e ADN-së treguan se rrobat e përgjakura, për të cilat ishte dënuar, i ishin sajuar shumë kohë pas vrasjes.
Avokati i Hakamadës, Hideyo Ogawa, deklaroi se kjo shumë është dëmshpërblimi më i madh i dhënë ndonjëherë në Japoni për një dënim të gabuar, por shtoi se askush nuk mund të kompensojë vuajtjen e klientit të tij. Sipas tij, shteti ka bërë një gabim të pafalshëm që nuk zgjidhet me 200 milionë jenë.
Hakamada u tërhoq nga boksi profesionist në vitin 1961 dhe u punësua në një fabrikë për përpunimin e sojës në qytetin Shizuoka. Pesë vite më vonë, u arrestua pasi u zbuluan të therur për vdekje pronari i fabrikës, gruaja e tij dhe dy fëmijët e tyre.
Fillimisht i pranoi akuzat që iu ngarkuan, por më vonë i mohoi ato, duke deklaruar se policia e kishte detyruar të rrëfente me rrahje dhe kërcënime. Trupi gjykues që e dënoi me vdekje në vitin 1968 përbëhej nga tre gjyqtarë – dy ishin për dënimin me vdekje, ndërsa një ishte kundër. Ky i fundit dha dorëheqje gjashtë muaj më vonë, i dëshpëruar që nuk arriti ta ndalonte dënimin.
Hakamada kaloi më shumë se gjysmën e jetës në burg, duke pritur ekzekutimin me varje. Provat e reja çuan në lirimin e tij në vitin 2014, dhe më pas në një vendim për pafajësi. Rasti i tij vuri në pikëpyetje sistemin japonez të drejtësisë, ku shkalla e dënimeve është deri në 99 për qind, si dhe nxiti thirrje për heqjen e dënimit me vdekje.
Motra e tij, Hideko, drejtoi për vite me radhë një fushatë për lirimin e tij. Ajo i tha CNN-it se dekadat e kaluara në burg i kanë shkaktuar dëme të pariparueshme në shëndetin mendor të vëllait të saj.