Në Edinburgh, kryeqytetin e Skocisë, ndodhi një seri sulmesh të dhunshme ku mbetën të plagosur pesë persona. Një burrë 36-vjeçar është akuzuar zyrtarisht për ngjarjen, ndërsa në hetime janë përfshirë edhe njësitë kundër terrorizmit.
Policia konfirmoi se i dyshuari është akuzuar për një sërë incidentesh që ndodhën të premten, më 19 qershor, dhe se së shpejti do të dalë para gjykatës. Autoritetet siguruan publikun se nuk ekziston më rrezik për qytetarët.
Thirrja e parë në polici u regjistrua të premten në orën 20:50 në lagjen Sighthill, ku dy burra u plagosën dhe u dërguan me urgjencë në Spitalin Mbretëror të Edinburghut.
Scottish Mosque Association bëri të ditur se viktimat ishin besimtarë që sapo kishin dalë nga xhamia dhe po kalonin nëpër një park aty pranë.
Më pas u raportuan sulme të tjera pranë dyqaneve në pjesën perëndimore dhe veriore të qytetit, konkretisht në zonat Telford Road dhe Leith Walk, ku u plagosën edhe tre burra të tjerë.
Në rrjetet sociale u publikuan shpejt pamje shqetësuese. Në një video shihej sulmuesi pa bluzë duke ecur në rrugë me një armë në dorë dhe duke thyer derën e një restoranti, ndërsa në një video tjetër shihej momenti kur policia e kishte neutralizuar në tokë, teksa ai bërtiste në mënyrë histerike se po “mbronte vendin”.
Në sulme u plagosën pesë burra të moshave 22, 24, 27 dhe 39 vjeç. Tre prej tyre mbeten të shtruar në spital, por asnjëri nuk ndodhet në rrezik për jetën.
Omar Afzal deklaroi se komunitetet myslimane janë tronditur thellë nga ngjarja dhe shprehu zemërimin e tyre, duke theksuar se rreziku i islamofobisë është paralajmëruar prej vitesh.
“Këto sulme nuk ndodhin në vakum. Prej vitesh kemi paralajmëruar për pasojat e normalizimit të urrejtjes ndaj myslimanëve në hapësirën publike. Kur paragjykimet nuk adresohen, krijohet një mjedis ku individët ndihen të inkurajuar të kalojnë në akte të tilla”, tha Afzal.
Ndihmës-shefja e policisë, Catriona Paton, konfirmoi se hetimet po zhvillohen me mbështetjen e ekipeve kundër terrorizmit dhe nën mbikëqyrjen e prokurorisë.
Policia ka hapur gjithashtu një portal të posaçëm publik për incidente të mëdha, përmes të cilit qytetarët mund të dërgojnë informacione, video dhe prova që mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rastit.















