Detaje të reja nga Roma: Ishte një seri shpërthimesh me zinxhir, u plagosën policë e zjarrfikës

Një pikë karburanti shpërtheu të premten në mëngjes në juglindje të Romës, duke plagosur të paktën 20 persona, përfshirë tetë policë dhe zjarrfikës.

Shpërthimi i parë u dëgjua pak pas orës 08:00, duke ngritur një re të madhe tymi të errët dhe flakë, të dukshme në shumë pjesë të kryeqytetit.

Kryebashkiaku i Romës, Roberto Gualtieri, tha se 20 të plagosurit pësuan vetëm lëndime të lehta. Ai tregoi se policia lokale dhe zjarrfikësit u nisën menjëherë pasi morën njoftim për rrjedhje gazi. Sapo mbërritën atje, ndodhën dy shpërthime të tjera, sipas tij.

Elisabetta Accardo, zëdhënëse e policisë së Romës, tha se tetë policë u plagosën gjatë ndërhyrjes në vendngjarje. Të plagosurit pësuan djegie, por asnjërit nuk i rrezikohet jeta.

Prokuroria e Romës ka nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e shpërthimeve. Banorët i thanë mediave lokale se tronditja ishte kaq e fortë sa goditi ndërtesat përreth “si në një tërmet”.

Kategoritë
BotaLajme