Dështimi në zgjedhje përçan PDK-në, paralajmërohet suspendimi i saj nga politika

Zgjedhjet parlamentare të jashtëzakonshme të 14 shkurtit, i kanë dhënë një goditje të rëndë Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Ky subjekt politik ka pësuar rënien më të madhe në historinë e saj, pasi arriti t’i marrë vetëm 17 % të votave të përgjithshme elektorale në zgjedhjet e fundit.

Kjo gjë sigurisht që ndikoi në marrëdhëniet e brendshme partiake, ku menjëherë filluan përplasjet dhe përçarjet në mes zyrtarëve të saj.

Dhe padyshim që këto konflikte në PDK, po japin sinjal të fillimit të një krize të madhe politike.

I pari që e vuri në pah këtë gjë ishte kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ku përmes një letre publiku, i kërkoi dorëheqje secilit kryetar të degës ku PDK ka pësuar humbje të elektoratit apo dobësim të ndjeshëm.

“Partia politike është vizion i shumë qytetarëve me një synim të përbashkët dhe nuk ka pronar, por me kontribuues, me udhëheqës të konfirmuar nga vota dhe vullneti i lirë i anëtarëve. Çdo përpjekje për pronësi në parti, do t’i kthehet me hakmarrje nga qytetarët, madje me kamatë. Për të shënuar rikthim të suksesshëm pas katër viteve, konsideroj se duhet urgjent të ndërmerren masat si vijon: Dorëheqje e secilit kryetar të degës ku PDK ka pësuar humbje të elektoratit apo dobësim të ndjeshëm, Lirim nga detyra e secilit drejtues të PDK-së nga Kryesia që në opinion ka pasur dhe ka hipoteka për pandershmëri, vepra penale apo akuza”, shkroi Lladrovci në Facebook.

Pas kësaj, menjëherë filluan deklaratat se tani brenda PDK-së ekzistojnë dy grupacione politike, ku njëri grup e përkrah Hashim Thaçin dhe tjetri grup e përkrah Kadri Veselin.

Këto grupacione dolën në pah edhe më shumë pas arrestimit të Veselit dhe Thaçit, ku pavarësisht që PDK u mundua ta mbulojë mungesën e tyre, kjo u vë në pah gjatë kësaj periudhe sidomos gjatë zgjedhjeve parlamentare.

Njohësit e çështjeve politike për gazetën “Bota sot” komentuan krizën politike të cilën e ka kapluar PDK-në. Ata treguan arsyet e kësaj krize dhe sfidat me të cilat kjo parti politike do të përballet në vazhdimësi, deri në një reformim dhe spastrim të thellë.

Kategoritë
LajmeVendi