Ndërsa gjithnjë e më shumë spekulohet dhe pritet përjashtimi i Izraelit dhe ekipeve izraelite nga garat nën ingerencën e UEFA-s, shumëkush pyet se si do të duken garat evropiane në të cilat marrin pjesë përfaqësuesit e Izraelit.
UEFA javën e ardhshme do të mbajë një mbledhje për të vendosur nëse do t’i ndalohet Izraelit pjesëmarrja në garat e saj të futbollit.
Në opinion publik po përmendet gjithnjë e më shumë mundësia e përjashtimit të Izraelit dhe ekipeve izraelite për shkak të gjenocidit që, siç thuhet, po kryhet në mënyrë të vazhdueshme ndaj popullit të Gazës.
Edhe pse Izraeli ka njëfarë mbështetjeje, përfshirë edhe atë të presidentit amerikan Donald Trump, i cili tha se do të “punojë absolutisht për të ndaluar çdo përpjekje për t’i mohuar Izraelit pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror 2026”, shumica dërrmuese e përfaqësuesve të UEFA-s do të votojë për përjashtimin e këtij vendi nga garat e saj.
Aktualisht në fokus janë dy përfaqësime: kombëtarja e Izraelit, e cila po garon në kualifikimet për Kupën e Botës, dhe Maccabi Tel-Aviv, që luan në fazën e grupeve të Ligës së Evropës.
Meqë pritet një rezultat pozitiv i votimit për përjashtimin e Izraelit nga garat e UEFA-s, shtrohet pyetja se çfarë do të ndodhë me grupin kualifikues për Botërorin ku është Izraeli dhe me Ligën e Evropës ku gjendet Maccabi Tel-Aviv.
Ekzistojnë dy opsione, ndërsa problemi është se gara tashmë ka nisur.
Opsioni i parë dhe më i mundshmi është që të gjithë kundërshtarëve të tyre t’u jepen nga tre pikë në ndeshjet e ardhshme, pa dalë fare në fushë.
Opsioni i dytë, më pak i mundshëm, është që çdo ekip të zhvillojë një ndeshje më pak. Kjo do të sillte konfuzion, pasi disa ekipe/shtete tashmë kanë fituar pikë kundër Izraelit dhe ekipeve izraelite.
Për shembull, PAOK-u tashmë ka fituar pikë kundër Maccabit në fazën e grupeve të Ligës së Evropës, kështu që do të kishin mundësi të fitonin më shumë pikë në krahasim me pjesëmarrësit e tjerë të garës.