Deputetja izraelite kërcënon me përdorimin e “raketave të pasakta” në Gaza pas ndalimit të armëve nga SHBA-ja

“SHBA-ja po kërcënon se nuk do të na japë raketa të sakta. Oh, po? Epo, kam lajme për SHBA-në. Ne kemi raketa të pasakta dhe kemi të drejtë të mbrohemi”, tha Tally Gotliv, deputete e Partisë Likud

Një anëtare e parlamentit izraelit, i njohur si Knesset, kërcënoi me përdorimin e “raketave të pasakta” gjatë luftës në Rripin e Gazës, si reagim ndaj ndalimit të transferimit të armëve amerikane në Tel Aviv, transmeton Anadolu.

“SHBA-ja po kërcënon se nuk do të na japë raketa të sakta. Oh, po? Epo, kam lajme për SHBA-në. Ne kemi raketa të pasakta dhe kemi të drejtë të mbrohemi”, tha Tally Gotliv, deputete e Partisë Likud të kryeministrit Benjamin Netanyahu, në një deklaratë për median izraelite Channel 7, duke shtuar:

“Pra, ndoshta në vend që të përdor një raketë të saktë që do të rrëzojë një dhomë të caktuar, ose një ndërtesë të caktuar, do të përdor raketat e pasakta dhe thjesht do të shkatërroj dhjetë ndërtesa. Këtë do të bëj”.

Deputetja izraelite e ekstremit të djathtë pretendoi se Izraeli ka të drejtë të mbrohet dhe “do të përdorim atë që kemi”.

Dje në një intervistë për CNN, Biden tha se ai ndaloi dërgesat e armëve në Izrael për shkak të ofensivës izraelite në Rafah, ku rreth 1,5 milion palestinezë të zhvendosur janë strehuar nga lufta e vazhdueshme e Izraelit në Rripin e Gazës.

Vendimi i tij ka shkaktuar një zemërim brenda Izraelit, me disa zyrtarë qeveritarë që kritikuan presidentin amerikan.

Biden pranoi se armët amerikane janë përdorur për të vrarë civilë në Gaza. Ai shtoi se veprimet e Izraelit në Rafah deri më tani nuk kanë kaluar asnjë “vijë të kuqe” që do ta çonte atë të rishikojë politikën e tij mbi Gazën.

Izraeli ka vrarë të paktën 34.900 palestinezë dhe ka plagosur 78.500 të tjerë në ofensivën brutale në Rripin e Gazës pas një sulmi të Hamasit më 7 tetor të vitit 2023.

Mbi shtatë muaj të luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë kthyer në gërmadha, duke çuar zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së enklavës mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar tha se “besohet” se Izraeli po kryen gjenocid në Gaza, si dhe urdhëroi Tel Avivin të ndalojë akte të tilla dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.

Kategoritë
BotaLajme