Daut Haradinaj jep dorëheqje nga kryetari i AAK-së në Deçan, nis garën për Prishtinën

Daut Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit në degën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Deçan, pas shpalljes së kandidaturës për Prishtinën në zgjedhjet e ardhshme komunale.

Haradinaj përmes një shkrimi në Facebook ka falënderuar aktivistët në Deçan, që sipas tij, nuk hoqën dorë asnjëherë nga vizioni i AAK-së.

“Ju jam mirënjohës mijëra aktivistëve e simpatizantëve të AAK-së si dhe qytetarëve të Deçanit, të cilët kurrë nuk hoqën dorë nga vizioni ynë për Deçanin dhe për Kosovën, dhe këtë përcaktim gjithmonë e kthyen në fitore. Këtë model fitoreje këtë herë do ta bartim në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë”, ka shkruar ndër të tjera ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës.

I pari i AAK-së, Ramush Haradianj, disa ditë më parë njoftoi se Daut Haradinaj ishte nominuar nga strukturat e partisë për kandidat për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet e ardhshme komunale, që pritet të mbahen në vjeshtë.

Kategoritë
LajmeVendi