Danimarka dëshiron që Europa të përdorë të gjithë arsenalin e saj ligjor kundër Hungarisë për shkelje të të drejtave themelore të bllokut, duke përfshirë nisjen e asaj që njihet si “opsioni bërthamor” sipas nenit 7 kundër Budapestit, shkruan Politico.
“Ne po vazhdojmë të jemi dëshmitarë të shkeljeve të vlerave tona themelore. Prandaj do të vijojmë procedurën sipas nenit 7 dhe seancën dëgjimore për Hungarinë,” tha ministrja daneze për Çështjet Evropiane, Marie Bjerre, për gazetarët në Aarhus, në kohën kur Komisioni Evropian ishte në vizitë dhe Danimarka po merrte kryesinë rrotulluese të Këshillit të BE-së.
Neni 7 është një klauzolë në traktatin e BE-së që lejon vendet anëtare të votojnë për përjashtimin ose ndëshkimin e një shteti anëtar që shkel rregullat e bllokut. Ky mjet konsiderohet si opsioni bërthamor ligjor, të cilin BE-ja ende nuk e ka përdorur, edhe pse nga Brukseli theksojnë se Hungaria ka shkelur ligjet e BE-së.
Bjerre tha se blloku duhet gjithashtu të shqyrtojë kufizimin e qasjes në fondet e BE-së për vendet që shkelin ligjet evropiane.
Ministrja kritkoi Hungarinë edhe për bllokimin e vazhdueshëm të anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian, duke theksuar se Danimarka “është e gatshme të shqyrtojë të gjitha zgjidhjet politike dhe praktike për të ecur përpara.”
Nëse vendet e BE-së vendosin ta forcojnë procedurën aktuale të nenit 7, ato mund t’i heqin Hungarisë të drejtën e votës në disa aspekte të politikave evropiane, si zgjerimi, duke i hequr Budapestit fuqinë e vetos për çështjen e anëtarësimit të Ukrainës.
Megjithatë, diplomatët paralajmërojnë se për një hap të tillë nevojitet të paktën mbështetja e plotë e Parisit dhe Berlinit për të mobilizuar pjesën tjetër të bllokut, mbështetje që deri tani mungon.
Ndërkohë që Hungaria mbetet e vendosur kundër anëtarësimit të Ukrainës, ekzistojnë spekulime se Komisioni Evropian mund të vendosë të vazhdojë me kërkesën e Moldavisë për anëtarësim duke hapur zyrtarisht në ditët në vijim një “klaster” për negociata.
Moldavia dhe Ukraina janë të lidhura ngushtë në procesin e anëtarësimit në BE, dhe ndarja e tyre do të ishte e diskutueshme.
Por Bjerre tha se Danimarka nuk është e gatshme t’i ndajë këto dy kërkesa.
“Qëllimi ynë mbetet të hapim së pari klasterin për Moldavinë dhe Ukrainën së bashku,” përfundoi ajo.