Çfarë mund të presë Kosova nga administrata e presidentit Biden?

Fitorja e Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka bërë që të ketë pritje të mëdha për qasje efektive të admistratës së re amerikane ndaj Kosovës.

Raportet dhe përvojat e Bidenit me Kosovën në këtë kaluarën nga ana e spektrit politik dhe shoqërisë civile po japin shpresë për një fokus të veçantë të demokratit në këtë drejtim.

Joe Biden është zgjedhur presidenti i 46-të i SHBA-së pas zgjedhjeve të 3 nëntorit, duke e mposhtur kundërkandidatin e tij, njëherësh presidentin aktual, Donald Trump.

Në administratën e Trumpit, Kosova dhe Serbia kishin nënshkruar një dokument zotimesh në Shtëpinë e Bardhë, në të cilën nuk përmendej njohja reciproke mes të dyja vendeve.

Ndërsa, sa ishte zëvendëspresident në administratën e ish-presidentit Barack Obama, Biden kishte vizituar Kosovën, teksa ishte deklaruar se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme.

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se pak njerëz i kanë njohur vuajtjet e popullit të Kosovës aq mirë e aq afër sa presidenti i sapozgjedhur i SHBA-ve, Joe Biden.

“Pak njerëz i kanë qëndruar pranë Kosovës në kohën kur ai na u gjend pranë. Ai ishte zëri ynë, kur ne nuk kishim zë.  Sepse mbrotja e jetës e dinjitetit njerëzor, për të ishte mbi të gjitha. Populli i Kosovës i shpëtoi shfarosjes nga regjimi serb për shkak të mbështjetjes bipartizane nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por shpëtoi edhe për shkak të njerëzve si Joe Biden. Sepse ai nuk heshti kur ne tentonin të na zhduknin nga faqja e dheut. Nuk qëndroi indiferent para padrejtësive, në Kosovë e gjetiu”, ka shkruar Osmani në profilin e saj në Facebook, duke ia uruar Bidenit fitoren.

“Do të punojmë së bashku, që raportet tona speciale e aleanca jonë strategjike të forcohen edhe më tej. E mbi të gjitha, do të punojmë ta bëjmë Kosovën vend të drejtë e me mundësi të barabarta për të gjithë, në mënyrë që t’i bëjmë krenar edhe miqtë tanë si dhe Presidentin Biden!”, thuhet në publikimin e saj.

Në anën tjetër, Visar Xhambazi, hulumtues i politikave në Institutin Demokraci për Zhvillim (D4D), thotë për KALLXO.com se nuk pret që të ketë ndryshim politika amerikane në drejtim të Kosovës, por konsideron që qasja amerikane do të jetë më kualitative dhe rrjedhimisht më efektive.

“Për dallim nga Trump, pres që kompozicioni i administratës Biden të jetë më i mirë në aspektin profesional dhe personat të cilat kanë për fokus Ballkanin të kenë eksperiencë në këtë pjesë të Evropës”, thekson ai.

Sipas Xhambazit, Joe Biden ka eksperiencë të jashtëzakonshme në politikën e jashtme dhe veçanërisht në Ballkan.

“Biden ishte pro bombardimeve të NATO-s në Kosovë dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në Bosnjë dhe Hercegovinë. Gjithashtu, Biden ka vizituar disa herë shtetet e Ballkanit Perëndimor në cilësinë e zëvendëspresidentit amerikan dhe është i vetëdijshëm për kompleksitetin e sfidave me të cilat ballafaqohet Ballkani”, thekson ai.

Xhambazi pret që të ketë bashkëpunim më të thellë mes SHBA-së dhe Bashkimit Evropian.

“Gjithashtu, Biden është i vetëdijshëm për rëndësinë e marrëdhënieve transatlantike dhe ruajtjen e marrëdhënieve me aleatët evropianë. Në këtë drejtim, pres që të ketë bashkëpunim më të thellë SHBA-EU, e cila ka munguar në katër vitet e kaluara nën administratën Trump”

 

Kategoritë
LajmeVendi