Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të nisë javën e ardhshme një “mini turne” në Lindjen e Mesme, me ndalesën e parë në Riad, kryeqytetin e Arabisë Saudite.
Sipas agjencisë Reuters, Trump do të kërkojë në Arabinë Saudite, si dhe në vendet e tjera që do t’i vizitojë (Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe), mundësi për investime të këtyre shteteve në SHBA.
Një ndër temat kryesore për të cilat Trump do të insistojë është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet vendeve arabe dhe Izraelit, që ai e konsideron si aleatin më të ngushtë të SHBA-ve në rajon, bashkë me Arabinë Saudite.
Megjithatë, udhëheqësit sauditë i kanë bërë të qartë ekipit të Trumpit se nuk do të ketë asnjë diskutim për normalizim të marrëdhënieve mes Tel Avivit dhe Riadit për sa kohë qeveria e Benjamin Netanyahut vazhdon veprimet e saj ushtarake në Gaza.
Pavarësisht kësaj, Trump nuk heq dorë nga ideja e normalizimit dhe, sipas burimeve të Reutersit, po ushtron presion të fortë mbi qeverinë izraelite që të pranojë një armëpushim dhe të ndalë ofensivën në Gaza — një kërkesë kryesore nga liderët sauditë për të filluar negociatat me Izraelin.
Ndërkohë, vizita e Trumpit në Riad do të fokusohet kryesisht në bashkëpunimin ekonomik dhe çështje të tjera rajonale.
Zyrtarët nga të dyja palët kanë theksuar se investime të mëdha në fushën e armëve, projekteve gjigante dhe inteligjencës artificiale janë pjesë e bisedimeve.
Ky qasje është konfirmuar gjatë takimeve diplomatike para vizitës, e cila përfaqëson vizitën e parë zyrtare shtetërore në mandatin e dytë të Trumpit.
Trump ka deklaruar se synimi i tij është të sigurojë investime në kompanitë amerikane në vlerë prej një bilion dollarësh, duke u mbështetur në angazhimin fillestar prej 600 miliardë dollarësh të dhënë nga princi saudit i kurorës.