Çfarë arrogancë: Ministri izraelit kërcënon Francën dhe Britaninë e Madhe për shkak të njohjes së Palestinës

Ministri izraelit për çështje strategjike, Ron Dermer, të hënën ka kërcënuar Britaninë e Madhe dhe Francën se Izraeli mund të aneksojë pjesë të Bregut Perëndimor nëse ato njohin shtetin palestinez, njofton gazeta Haaretz.

Dermer, i cili në shkurt u emërua nga kryeministri Benjamin Netanjahu edhe si udhëheqës i ekipit negociator për armëpushimin në Gaza, ka biseduar me ministrin francez të punëve të jashtme Jean-Noël Barrot dhe e ka paralajmëruar se Izraeli mund të ndërmarrë hapa të njëanshëm nëse ndodh një njohje ndërkombëtare e shtetit palestinez.

Sipas një diplomati të huaj të njohur me detajet e bisedës, i cili ka folur në kushte anonimiteti, Dermer ka deklaruar se këta hapa mund të përfshijnë legalizimin e vendbanimeve të paautorizuara sipas ligjit izraelit dhe aneksimin e pjesëve të Zonës C në Bregun Perëndimor.

Të dielën, gazeta izraelite Israel Hayom raportoi se ministri i jashtëm Gideon Sa’ar kishte dhënë paralajmërime të ngjashme për kolegët e tij britanikë dhe francezë, si dhe për zyrtarët e disa vendeve të tjera. Megjithatë, sipas informacioneve të siguruara nga Haaretz, mesazhi në Britani u përcoll nga vetë Dermer.

Ministri izraelit i punëve të jashtme gjithashtu dha një paralajmërim publik ndaj një hapi të tillë gjatë një konference të përbashkët për media me ministrin gjerman të jashtëm Johann Wadephul, i cili së fundmi vizitoi Izraelin.

Si përgjigje, Wadephul deklaroi se Gjermania e mbështet zgjidhjen me dy shtete dhe e konsideron Autoritetin Palestinez si të vetmin partner legjitim negociator të Izraelit, por kundërshton atë që e quajti “njohje të parakohshme të shtetit palestinez”.

Muajin e ardhshëm pritet të mbahet një konferencë franko-saudite në New York për zgjidhjen me dy shtete, ku Franca, së bashku me vende të tjera, mund të shpallë njohjen e shtetit palestinez.

Ministri i jashtëm britanik David Lammy muajin e kaluar tha se Britania po negocion me Francën për mundësinë e një njohjeje të tillë publike, por shtoi se Mbretëria e Bashkuar do ta mbështeste këtë hap vetëm nëse do të kishte pasoja të prekshme, jo vetëm simbolike. Anëtarë të Partisë Laburiste në pushtet kanë shprehur së fundmi mbështetjen për këtë hap, sipas raporteve të fundit të The Guardian.

Kategoritë
BotaLajme