Çështja e organizatës terroriste FETO bëhet temë diskutimi në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut

“Është një sekret publik që në Republikën e Maqedonisë (së Veriut), nën maskën e veprimtarive tregtare, vepron organizata FETO, e cila është objekt i hetimeve dhe persekutimit në shumë vende, përfshirë SHBA-në”, tha deputeti Aleksandar Veljanovski.

Çështja e funksionimit të organizatës terroriste FETO në Republikën e Maqedonisë së Veriut ditëve të fundit ishte një nga temat e diskutuara në Kuvend, transmeton Anadolu Agency (AA).

Deputeti nga VMRO-DPMNE-ja opozitare, Aleksandar Veljanovski, gjatë seancës parlamentare për pyetjet e deputetëve, e pyeti kryeministrin Zoran Zaev në lidhje me funksionimin e organizatës terroriste FETO në vend.

Deputeti Veljanovski tha se një nga partnerët strategjikë më të rëndësishëm, më të mëdhenj dhe më me ndikim të Maqedonisë së Veriut, si ekonomikisht dhe ushtarakisht, përveç SHBA-së dhe BE-së, sigurisht është Republika e Turqisë.

Veljanovski theksoi se “Republika e Maqedonisë (së Veriut) ka një detyrim për të përmbushur kërkesat ligjore administrative, pra të bëjë reforma që vijnë nga anëtarësimi në NATO dhe aspiratat për të filluar negociatat e anëtarësimit në BE, ndërsa një nga më të rëndësishmet është lufta kundër krimit të organizuar dhe kjo paraqet tregues të rëndësishëm në vend”.

“Është një sekret publik që në Republikën e Maqedonisë (së Veriut), nën maskën e veprimtarive tregtare, vepron organizata FETO, e cila është objekt i hetimeve dhe persekutimit në shumë vende, përfshirë SHBA-në”, tha Veljanovski.

“Pyetjet që lindin, të cilat janë një temë në opinion, janë nëse pronarëve, ekipeve menaxhuese dhe punonjësve të ‘Yahya Kemal’, ‘Zaman Maqedoni’, ‘ÇAG DOO Shkup’, ‘Başak Tours DOO Shkup’, ‘MIBA’, u janë lëshuar leje për qëndrim dhe punë edhe pse pretendohet se të njëjtit nuk kanë dokumente të vlefshme udhëtimi. A janë kontaktuar autoritetet e një vendi mik dhe partner në lidhje me procedurat që po zhvillohen kundër këtyre personave, nëse shërbimet tona kompetente kanë informacion mbi ndërhyrjen e mundshme në politikën e brendshme të Republikës së Maqedonisë (së Veriut) dhe çfarë masa po ndërmerren?”, pyeti Veljanovski.

“A janë këto kompani subjekt i kontrolleve financiare dhe a e kontrollon dikush në shtet këtë aspekt dhe a kujdeset për manipulime të mundshme financiare?”, tha ai në pyetjen e tij parlamentare drejtuar kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Përgjigja e kryeministrit Zaev lidhur me FETO-n

Kryeministri Zoran Zaev, duke iu përgjigjur pyetjes parlamentare në lidhje me funksionimin e organizatës terroriste FETO në Maqedoninë e Veriut dhe kompanive të lidhura me këtë organizatë terroriste, tha se ata gjithmonë veprojnë me përkushtim të plotë dhe vëmendje ndaj kërkesave të Republikës së Turqisë, por për ekstradimin e mundshëm të personave të caktuar, ata kanë nevojë për një vendim gjyqësor.

Zaev u shpreh se duke pasur parasysh marrëdhëniet miqësore me Turqinë, e cila është mbështetës i vendit prej një kohe të gjatë në NATO, BE dhe një nga investitorët më të mëdhenj në vend, theksoi se me përkushtim dhe vëmendje të plotë ka vepruar sipas kërkesave të tyre dhe bazuar në bashkëpunim, kryesisht në shërbimet e sigurisë, por edhe ministrive përkatëse, siç është Ministria e Drejtësisë.

“Ne kemi vepruar në përputhje me ligjet tona, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, në përputhje me miqësinë dhe marrëdhëniet strategjike që kanë Republika e Turqisë dhe Republika e Maqedonisë së Veriut dhe në rrethana të tilla së pari, natyrisht ne kemi bërë kontrolle nga aspekti i sigurisë sonë vendase për të gjithë personat e dyshuar apo ngjashëm, për analiza të hollësishme e parave, origjinës, njerëzve, sjelljes, për të paktën disa nga këto kompani që përmendët ku punojnë qytetarët nga Turqia. Disa prej tyre kanë gjithashtu shtetësi maqedonase dhe natyrisht ne e bëmë atë nga aspekti i sigurisë sonë, së dyti e bëmë sepse Turqia dërgoi shkresa miqësore për të punuar në pjesën e sigurisë”, tha Zaev.

“Të gjitha dokumentet për njerëzit që jetojnë dhe punojnë këtu janë lëshuar në përputhje me ligjin dhe natyrisht që është bërë kontroll shtesë nga siguria dhe çdo aspekt tjetër i theksuar nga Republika e Turqisë”, shtoi Zaev.

“Personalisht kam njoftuar Presidentin e Turqisë, Kryeministrin e Turqisë, por edhe ministrat tanë të jashtëm, më herët Dimitrov e tani Osmani, ministrat tanë të brendshëm, kanë bashkëpunim të shkëlqyeshëm për të gjitha detajet mbi çështjet e hapura të krimit të organizuar me të ashtuquajturin grupacion FETO. Ne kemi dënuar publikisht përpjekjen e grusht shtetit për të përmbysur qeverinë legjitime dhe demokratike të zgjedhur në Republikën e Turqisë. Unë personalisht dhe shumë nga zyrtarët tanë në vend, sigurisht riafirmoj sërish sepse nuk duam askund në botë, e të paktën në vendet mike, të zhvillohen veprimtari jodemokratike për të përmbysur qeverinë, ku fatkeqësisht pati humbje të jetëve të njerëzve dhe pasoja, që janë shenja madje edhe tek ne në shtëpi, për të mos përmendur pasojat e rënda në Turqi”, tha kryeministri Zaev.

Sipas tij, angazhimi dhe analiza e duhur ende janë në pritje të dokumenteve nga Turqia për ekstradimin e mundshëm të njerëzve të caktuar.

“Republika e Turqisë i njeh të gjitha detajet e procedurave, por ajo gjithashtu di për të drejtën ndërkombëtare dhe legjislacionin tonë, i cili në fakt është i njëjtë ose i ngjashëm me legjislacionin turk, e ajo është që të ketë një vendim gjyqësor, dokumente gjyqësore për shtetas të caktuar në mënyrë që të veprojnë Ministria jonë e Drejtësisë dhe institucionet tona përkatëse gjyqësore. Por, edhe atëherë kur ata kërkuan veprim të duhur, kjo u kuptua nga Republika e Turqisë dhe natyrisht nëse paraqiten prova shtesë në përputhje me ligjin ndërkombëtar, ne me siguri do të veprojmë”, tha Zaev.

Ai shtoi se “nuk do t’ia lejoja veten për të thënë detaje për shkak se informacionet të caktuara janë të klasifikuara”.

“Dua të konfirmoj se bashkëpunimi midis Republikës së Maqedonisë (së Veriut) dhe Republikës së Turqisë është në një nivel të shkëlqyeshëm”, tha kryeministri, duke shtuar se Turqia është një nga investitorët më të mëdhenj përmes kompanive të saj.

Organizata terroriste FETO dhe udhëheqësi i saj me qendër në SHBA, Fetullah Gulen, orkestruan grushtin e shtetit të mposhtur më 15 korrik të vitit 2016, i cili la 251 njerëz të martirizuar dhe 2.734 të plagosur.

FETO qëndron pas një fushate të gjatë për të përmbysur shtetin përmes infiltrimit në institucionet turke, veçanërisht në ushtri, polici dhe gjyqësor.

Hetimi për organizatën terroriste FETO ka treguar se ky është një rrjet global, i cili përbën një kërcënim jo vetëm për Turqinë, por edhe për çdo vend tjetër në të cilin është aktiv. Kjo është theksuar vazhdimisht nga zyrtarët turq.

Kategoritë
LajmeRajoni