Vlerësimet e ish-Shefit të Shtabit të Ushtrisë së SHBA-së, Gjeneralit Randy George, kanë identifikuar mungesa të interceptorëve THAAD dhe raketave Patriot.
Gjenerali Randy George, ish-shefi i Shtabit të Ushtrisë së SHBA-së, ka paralajmëruar disa muaj para luftës amerikano-izraelite kundër Iranit se rezervat amerikane të sistemeve të mbrojtjes raketore ishin në nivele kritikisht të ulëta dhe se mund të duheshin deri në vitin 2030 për t’i rikthyer në nivele të mjaftueshme, raportoi të enjten CBS News.
George e ka ngritur këtë shqetësim në fund të dhjetorit, dy muaj para fillimit të konfliktit, sipas zyrtarëve amerikanë të njohur me vlerësimin e tij. Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, e shkarkoi atë nga detyra në prill, ndërsa lufta ishte në zhvillim e sipër.
Vlerësimi i gjeneralit, i përfshirë në planifikimin e Pentagonit për shpërndarjen e forcave për vitin fiskal 2027, ka evidentuar mungesa të raketave interceptuese të Sistemit të Mbrojtjes Kundër Raketave në Lartësi të Mëdha (THAAD) dhe të raketave Patriot. Sipas parashikimeve, rezervat do të mbeten në nivele strategjikisht të ulëta deri në vitin 2030.
Sipas raportimit, zyrtarët ia kanë atribuuar mungesën dërgesave të armëve për Ukrainën, mbështetjes ushtarake të SHBA-së për Izraelin dhe kapacitetit të kufizuar prodhues të industrisë së mbrojtjes.
Sipas raportimit, lufta me Iranin ka ushtruar edhe më shumë presion mbi rezervat. Një vlerësim i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) ka zbuluar se forcat amerikane e kanë nisur vitin 2026 me rreth 2.300 raketa interceptuese Patriot dhe kanë përdorur nga 1.050 deri në 1.430 të tilla gjatë konfliktit.
Rezervat amerikane të raketave interceptuese THAAD para luftës ishin rreth 355, nga të cilat vlerësohet se janë përdorur nga 190 deri në 290.
Mark Cancian, kolonel në pension i Korpusit të Marinës dhe këshilltar i lartë në CSIS, i ka thënë CBS Newsit se këto sisteme do të ishin thelbësore në një konflikt të mundshëm me Kinën.
“Mbrojtja ajrore – mbrojtja nga raketat – do të jetë jashtëzakonisht e rëndësishme”, ka thënë ai, duke shpjeguar se një përballje e madhe me Pekinin do të kërkonte rezerva të konsiderueshme raketash interceptuese.
Sipas raportimit, rimbushja e rezervave mbetet një proces i gjatë. Vlerësimet e CSIS-së tregojnë se kontratave të reja për raketat interceptuese THAAD u duhen më shumë se katër vjet për t’u përmbushur, ndërsa porositë për raketat Patriot PAC-3 kërkojnë mesatarisht tre vjet e gjysmë.
Pentagoni hodhi poshtë pretendimet për mungesa. Zëdhënësi kryesor i tij, Sean Parnell, i tha CBS Newsit se “Pretendimet për mungesa të municioneve amerikane janë të pavërteta”.
Ai shtoi se Washingtoni ka ende “gjithçka që i nevojitet për të goditur në kohën dhe vendin që zgjedh presidenti”.