Buçkovski për mosmarrëveshjen me Bullgarinë: Na duhet kohë shtesë, por jemi në rrugën e duhur

“Kemi instrumente të dhëna nga Marrëveshja e Miqësisë dhe Bashkëpunimit, nëse ato instrumente do të ishin përdorur deri më tani, kjo krizë nuk do të kishte ndodhur”, tha Buçkovski, Përfaqësues Special për Bullgarinë

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, sot u takua me Përfaqësuesin e ri Special të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për Bullgarinë, Vllado Buçkovski, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas takimit të përbashkët, Osmani dhe Buçkovski mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp për të diskutuar emërimin e djeshëm të Buçkovskit nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut si Përfaqësues Special për Bullgarinë, në mënyrë që të kapërcehen çështjet e hapura historike dhe të identitetit midis dy vendeve.

Ministri Osmani tha se janë duke krijuar një seri mekanizmash nëpërmjet të cilave po përpiqen të forcojnë besimin në dialogun politik midis dy vendeve, veçanërisht për të rivendosur besimin në Marrëveshjen për Miqësi të vitit 2017.

Në këtë drejtim, sipas Osmanit, përveç këtyre mekanizmave politikë, ekziston edhe qëllimi për t’u zotuar për zbatimin e marrëveshjes së vitit 2017 duke caktuar po ashtu një përfaqësues special qëllimi i mandatit të të cilit do të jetë realizimi i çështjeve me interes për të dy vendet të mbuluara nga Marrëveshja për Miqësi.

“Ne nuk po emërojmë një person teknik, por një ish-kryeministër të vendit, Vllado Buçkovski, i cili në mandatin e tij ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në avancimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, i cili është gjithashtu një njohës i mirë i marrëdhënieve dypalëshe midis dy vendeve. Me këtë vendim, ne po plotësojmë boshllëkun diplomatik që nuk kemi të caktuar një ambasador në Sofje, ku për momentin kemi vetëm një të ngarkuar me punë, edhe atë me një përfaqësues politik shumë më të fortë sesa një diplomat i rregullt”, tha Osmani.

Ai shtoi se Ministria e Punëve të Jashtme, me gjithë kapacitetin e saj diplomatik, mbetet e përkushtuar në marrëdhëniet dypalëshe me Bullgarinë, për të cilat pret të ketë një bashkëpunim të ngushtë me Buçkovskin në të ardhmen.

Përfaqësuesi Special i Maqedonisë së Veriut për Bullgarinë, Vllado Buçkovski, shprehu shpresën se përvoja e tij, me, siç tha ai, besimin që ai ka tek opinioni bullgar, do të jetë “një sinjal i qartë i angazhimit të qeverisë për të përmbushur detyrimet e Marrëveshjes për Miqësi dhe Bashkëpunim të 1 gushtit të vitit 2017”.

“Unë me kënaqësi e pranova këtë sfidë, sepse jam i bindur që ne mund të arrijmë një zgjidhje që do të zhbllokojë procesin dhe nga ana tjetër do të jetë në frymën e vlerave evropiane me respekt të plotë për dinjitetin tonë”, tha Buçkovski.

I pyetur nga gazetarët se çfarë do të bëjë ai deri të martën dhe në ditët në vijim për të zgjidhur mosmarrëveshjen me Bullgarinë në mënyrë që Maqedonia e Veriut të shkojë përpara në integrimin evropian, Buçovski tha se është i bindur që një zgjidhje do të gjendet, por jo brenda shtatë ditësh.

“Mund të duhet kohë shtesë, por ne jemi në rrugën e duhur. Për shkak të përvojës sime, unë nuk do të pranoj dërgimin e mesazheve përmes mediave me miqtë tanë bullgarë, komisioni ynë po punon intensivisht, ne kemi instrumente të dhëna nga Marrëveshja e Miqësisë dhe Bashkëpunimit, nëse ato instrumente do të ishin përdorur deri më tani, kjo krizë nuk do të kishte ndodhur”, u përgjigj Buçkovski.

Kujtojmë se më 17 nëntor, pas konferencës virutale të Ministrave të Çështjeve Evropiane dhe të Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva, njoftoi se vendi i saj vendosi veto ndaj kornizës negociuese të Maqedonisë së Veriut për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. Ajo tha, ndër të tjera, se “një shtet i bazuar në një ideologji armiqësie ndaj Bullgarisë nuk ka vend në BE”.

Kategoritë
LajmeRajoni