



Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatović, ka deklaruar se në marrëveshjen e ardhshme me BE-në mund të përfshihen mekanizma mbrojtës për të parandaluar prapa-ecjen në fusha kyçe si sundimi i ligjit.
Një nga idetë që po shqyrtohet është që vendeve të reja anëtare t’u kufizohet e drejta e vetos, nëse institucionet evropiane vlerësojnë se ato kanë regres në standardet demokratike.
Kjo qasje lidhet me përvojën e zgjerimit të vitit 2004, kur disa vende, veçanërisht Hungaria, janë kritikuar nga Brukseli për përdorimin e vetos dhe për prirje autoritare që shpesh bllokojnë vendimmarrjen e BE-së.
Nëse kjo formulë miratohet, ajo mund të bëhet standard i ri për zgjerimet e ardhshme, duke bërë që anëtarët e rinj të mos kenë menjëherë të gjitha të drejtat e vendeve aktuale të BE-së.
Mali i Zi ka hapur 33 kapituj negociues dhe ka mbyllur 13, duke qenë kandidati më i avancuar për anëtarësim. Pas tij në proces janë Shqipëria, ndërsa Moldavia dhe Ukraina konsiderohen në fazën e dytë. Negociata kanë hapur edhe Serbia dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina dhe Gjeorgjia janë vende kandidate. Kosova mbetet ende aplikante dhe kandidate potenciale.