Britania dhe Franca do të kryejnë kërkime, stërvitje dhe teste të përbashkëta bërthamore

Sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey tha se Britania dhe Franca do të zhvillojnë punime të përbashkëta për bashkëpunim në kërkimin, stërvitjet dhe testimet bërthamore

Sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey tha se Britania dhe Franca do të zhvillojnë punime të përbashkëta për bashkëpunim në kërkimin, stërvitjet dhe testimet bërthamore, transmeton Anadolu.

Healey foli për “Sky News” në lidhje me vizitën e presidentit francez, Emmanuel Macron në Britani dhe hapat e mundshëm që mund të ndërmerren në mënyrë reciproke në fushën e mbrojtjes.

Ai shpjegoi se Samiti i sotëm Britani-Francë në Londër ishte samiti i parë me një vend evropian që kur Britania u largua nga Bashkimi Evropian (BE) në vitin 2020. “Ne gjithmonë kemi pasur bashkëpunim të ngushtë ushtarak me Francën, aleatin tonë më të vjetër. Ne do të kemi edhe punime lidhur me koordinimin e bashkëpunimit në kërkimin, stërvitjet dhe testimet bërthamore”, shtoi Healey.

Sekretari britanik i Mbrojtjes theksoi se ata po koordinohen për të rritur parandalimin përballë kërcënimeve në rritje, duke shtuar se 50 mijë trupa janë në gatishmëri nëse Evropa ka nevojë për to.

Ai tha se Britania dhe Franca përdorin fuqinë e tyre ushtarake, kapacitetin e prodhimit dhe ekonomitë për të mbrojtur Evropën. Edhe Ministria e Mbrojtjes bëri një deklaratë lidhur me bashkëpunimin ushtarak midis dy vendeve.

“Armiqtë që kërcënojnë interesat jetike të Francës dhe Britanisë mund të përballen me forcat bërthamore të të dy vendeve. Do të punohet së bashku për të mbrojtur arkitekturën ndërkombëtare të çarmatimit bërthamor ndërkohë që dy vendet forcojnë bashkëpunimin në kërkimin bërthamor”, thuhet në deklaratën e ministrisë.

Në deklaratë rikujtohet se Britania dhe Franca janë fuqitë e vetme bërthamore në Evropë.

Kategoritë
BotaLajme