Britani, gjysma e popullsisë së rritur është vaksinuar

Britanikët kanë shënuar nivel rekord vaksinimesh këtë fundjavë duke deklaruar se është vaksinuar gjysma e popullsisë së rritur.

Ndërsa shumë vende evropiane kanë nisur të ndërmarrin masa të tjera kufizuese për qytetarët, sekretari britanik i Shëndetësisë, Matt Hancock, falënderoi këtë të dielë të gjithë ata që janë përfshirë në procesin e vaksinimit, teksa e cilësoi sukses që gjysma e popullsisë së rritur në moshë e kanë marrë injeksionin.

Ndërkaq, britanikët janë duke biseduar mbi pushimet verore. Dr Mike Tildesley, anëtar i Grupit Shkencor për Pandeminë tha se udhëtimet ndërkombëtare këtë verë, janë jashtëzakonisht të pamundura.

“Rrezikojmë të kemi shumë variante të reja në vend nëse do të hapim udhëtimet për pushime, dhe do të rrezikonim fushatën tonë të vaksinimit duke pasur këto variante në Britani” – tha Dr Mike Tildesley.

Ndërkohë, protestat kundër masave kufizuese nuk kanë munguar as në Londër. Dhjetëra njerëz janë arrestuar këtë të dielë ndërsa policia u përpoq të ndalonte mijëra protestues anti-bllokim që marshonin nëpër qendrën e Londrës.

Scotland Yardi njoftoi se 36 persona ishin arrestuar, shumica për shkelje të rregullave anti-Covid.

Kategoritë
BotaLajme