“Bota shikon shkatërrimin dhe gjakderdhjen prej 10 vitesh në Siri”

“Është e pamundur që të kuptohet plotësisht dimensioni shkatërrues në Siri dhe se populli sirian po përballet me një prej krimeve më të mëdha të këtij shekulli”, theksoi Guterres

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, theksoi se bota shikon shkatërrimin dhe gjakderdhjen prej 10 vitesh në Siri dhe se populli sirian po përballet me një prej krimeve më të mëdha të shekullit, raporton Anadolu Agency (AA).

Guterres bëri disa deklarata për gazetarët në 10-vjetorin e luftës së brendshme në Siri, ku ai vuri në dukje se shtypja me dhunë e protestave paqësore para 10 viteve e tërhoqi vendin në një luftë të frikshme.

Kriza në vend tashmë nuk paraqitet më në titujt kryesorë, por makthi në vend vazhdon, deklaroi Guterres i cili shtoi se “Qindra mijëra sirianë humbën jetën, miliona të tjerë u zhvendosën. Shumë persona të arrestuar numri i të cilëve nuk dihet torturohen, janë të humbur dhe jetojnë në varfëri”.

Ai tha se bota shikon shkatërrimin dhe gjakderdhjen prej 10 vitesh në Siri. “Është e pamundur që të kuptohet plotësisht dimensioni shkatërrues në Siri dhe se populli sirian po përballet me një prej krimeve më të mëdha të këtij shekulli”, theksoi Guterres.

“Brutaliteti i përjetuar trondit ndërgjegjen dhe për vazhdimësinë e paqes në Siri duhet të japin llogari përgjegjësit”, tha Guterres.

Gjysma e fëmijëve sirianë nuk kanë parë një ditë pa luftë, u shpreh Guterres i cili tha se “Rreth 60 për qind e sirianëve këtë vit ndodhen përballë rrezikut të urisë”.

Duke i bërë thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së për dakordësim, Guterres tha se për zgjidhjen politike të krizës në Siri duhet që komiteti kushtetues të shënojë përparim konkret dhe se për këtë përfaqësuesit e regjimit në komitet duhet të fillojnë bisedimet rreth kushtetutës.

“Dështimi do ta dënojë popullin sirian në më shumë dëshpërim dhe këtë nuk mund ta lejojmë”, tha Guterres i cili bëri të ditur se edhe mendimi i ndarë mes komunitetit ndërkombëtar mund të eliminohet me një diplomaci të fortë dhe nëpërmjet dialogut.

Guterres theksoi se mos gjetja e zgjidhjes për problemet e tjera të përjetuara, veçanërisht ndaj krizës së Sirisë, është për shkak të joefektivitetit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i cili është mekanizmi aktual i sigurisë në duart e komunitetit ndërkombëtar.

Kategoritë
BotaLajme