Bosnja arreston një serb të dyshuar për vrasjen e 51 civilëve në luftë

Policia e Bosnjës ka arrestuar të martën një ish-polic serb, i akuzuar për pjesëmarrje në vrasjen e 51 civilëve në veriperëndim të Bosnjës në fillim të luftës në vitet e 90-a, ka njoftuar Prokurori i Shtetit.

Një çerekshekulli pasi marrëveshja e Dejtonit i dha fund luftës ku u vranë më shumë se 100 mijë njerëz, ende shumë të dyshuar për krime lufte janë të lirë.

Dushan Qulibrk, 50-vjeçar, akuzohet se kishte marrë pjesë në vrasjen e 44 civilëve boshnjakë dhe kroatë, që ishin marrë në korrik të 1992-s nga kampi “Omarska”, ku po mbaheshin ilegalisht.

Qulibrk, që ishte polic në Bosanska Krupa, bashkë me anëtarët tjerë të grupit akuzohen se kishin dërguar civilët në një gropë e i kishin vrarë, raporton Reuters.

Eshtrat e viktimave ishin gjetur dhe zhvarrosur më 2000, kur edhe ishin identifikuar.

Qulibrk akuzohet po ashtu se kishte ndalur një grup prej shtatë civilëve boshnjakë në një rrugë në Prijedor dhe i kishte vrarë ata. Mbetjet e tyre u gjetën po ashtu në një varr masiv, sipas prokurorisë.

Qulibrk hetohet për krime lufte ndaj civilëve.

Omarska ishte një nga katër kampet e mëdha serbe në rajonin e Prijedorit. Aty mbaheshin rreth 7000 boshnjakë e kroatë, ku u torturuan e qindra prej tyre u vranë si pjesë e operacionit për spastrim etnik. Dhjetëra mijëra boshnjakë e kroatë ishin vrarë në këtë rajon. Mijëra prej tyre u gjetën nëpër varreza masive pasi përfundoi lufta. Mijëra të tjerë ende s’janë gjetur.

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet