Pesë anëtarë të Bordit të Paqes të Donald Trumpit kanë lidhje me një kompani të vogël izraelite të armëve, e cila së fundmi ka fituar një kontratë me ushtrinë amerikane me vlerë deri në 150 milionë dollarë, ndërsa pajisjet e saj janë testuar në luftimet në Gaza, zbulon një hulumtim i gazetës britanike The Telegraph.
Një tjetër kompani e lidhur me njerëz pranë Bordit merr pjesë në financimin e ndërtimit të vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, ndërsa një kompani e tretë përballet me akuza në gjykatat amerikane se dyshohet se ka ndihmuar Hamasin të fshehë tunele në Gaza para sulmit të 7 tetorit.
Në rrjetin e interesave financiare përfshihen edhe investime miliardëshe në një kompleks të ri golfi Trump International në Doha, si dhe një kompani e sigurisë kibernetike e themeluar nga i njëjti inxhinier që krijoi programin famëkeq të spiunimit Pegasus.
Bordi i Paqes, një trup i udhëhequr nga SHBA-ja, ka për detyrë përfundimin e luftës në Gaza dhe rindërtimin e enklavës palestineze. Megjithatë, kritikët e kanë përshkruar atë që në fillim si një strukturë ku biznesi dhe interesat private mund të përzihen me diplomacinë.
Sipas The Telegraph, shumë nga investimet e njerëzve kryesorë të Bordit në kompanitë izraelite të armëve dhe në projekte të lidhura me vendbanimet janë bërë edhe me para nga fondet shtetërore të vendeve arabe të Gjirit.
Në qendër të vëmendjes është Jared Kushner, dhëndri i Trumpit dhe drejtues i kompanisë investuese Affinity Partners. Në Bordin e Paqes janë gjithashtu biznesmenë dhe investitorë të njohur, përfshirë Steve Witkoff, Marc Rowan, Yakir Gabay dhe ish-kryeministrin britanik Tony Blair.
Affinity Partners zotëron 7.4 për qind të aksioneve të Phoenix Financial, kompani financiare nga Tel Avivi që investon në kompani të lidhura me industrinë izraelite të mbrojtjes.
Një prej tyre është Smart Shooter, kompani që prodhon sisteme inteligjente shënjestrimi dhe dronë të armatosur. Ajo fitoi në fund të shtatorit një kontratë me ushtrinë amerikane me vlerë deri në 150 milionë dollarë.
Sipas raportimit, teknologjia e Smart Shooter është përdorur nga ushtria izraelite në Gaza gjatë tre viteve të fundit.
Megjithatë, The Telegraph thekson se nuk ka prova se Kushner ose ndonjë anëtar tjetër i Bordit ka qenë në dijeni paraprakisht për tenderin apo ka ndikuar në të.
Phoenix Financial përmendet gjithashtu si një prej financuesve të kompanive të përfshira në aktivitetet ekonomike në vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor.
Në hulumtim përmendet edhe miliarderi palestinezo-amerikan Bashar Masri, kompanitë e të cilit janë paditur nga më shumë se 200 amerikanë të mbijetuar nga sulmi i 7 tetorit dhe lufta në Gaza. Paditësit pretendojnë se kompani të lidhura me të kanë ndihmuar Hamasin, ndërsa avokatët e Masrit i hedhin poshtë plotësisht këto akuza.
Bordi i Paqes u prezantua rreth një vit më parë dhe u lançua zyrtarisht në janar në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ku u shfaqën edhe planet për një “Gazë të Re” me ndërtesa shumëkatëshe përgjatë bregdetit.
Sipas burimeve të The Telegraph, rindërtimi ka mbetur pas afatit, por po punohet për krijimin e forcave ndërkombëtare të stabilizimit dhe policisë së Gazës.
Kompanitë e përmendura në raport i kanë hedhur poshtë pretendimet për konflikt interesi. Affinity Partners ka deklaruar se investimi në Phoenix ishte publik dhe ishte bërë para rikthimit të Trumpit në pushtet, ndërsa Apollo Global Management ka mohuar se zotëron aksione në Phoenix dhe ka theksuar se angazhimi i Marc Rowan në Bord është jofitimprurës.
