Bora e mëngjesit paralizoi Sarajevën: Reshjet e dendura shkaktuan probleme në komunikacion

Sarajeva u zgjua sot nën një shtresë të trashë dëbore që për pak kohë mbuloi rrugët, çatitë dhe parqet, duke krijuar një atmosferë të vërtetë dimërore, por edhe duke shkaktuar probleme serioze në qarkullim.

Reshjet e dendura të dëborës që nga orët e hershme të mëngjesit ngadalësuan trafikun, shkaktuan kolona dhe vështirësuan lëvizjen e automjeteve. Ekipet komunale prej orësh janë në terren duke u përpjekur të mbajnë të kalueshme rrugët kryesore të qytetit.

Sipas prognozës së Institutit Federal Hidrometeorologjik, sot në gjithë Bosnjën do të mbizotërojë mot me borë dhe shi të ngrirë, ndërsa në Hercegovinë priten reshje shiu. Temperaturat ditore do të lëvizin nga -2 deri në 4°C, ndërsa në jug deri në 12°C. Meteorologët paralajmërojnë se reshjet do të vazhdojnë edhe ditëve në vijim, me periudha të shkurtra kthjellimi, por edhe me ciklone të reja që do të sjellin shi dhe borë.

Qytetarët nisën të pastrojnë trotuaret që herët në mëngjes

Ndërsa sarajevasit përpiqeshin të kalonin nëpër grumbujt e dëborës, shërbimet dimërore të KJKP “RAD” aktivizuan të gjitha resurset në dispozicion. Aktualisht në terren janë 36 automjete, ndërsa 90 punëtorë janë duke pastruar manualisht trotuaret në zonat Stari Grad, Centar dhe Novo Sarajevo. Në Komunën e Novi Grad pastrimin manual e kryen një kompani tjetër. Nga “RAD” njoftuan se po punojnë pandërprerë, por se punën po ua vështirësojnë gropat dhe pengesat e pa shënuara në rrugë, për shkak të të cilave disa automjete janë dëmtuar.

“Rrugët pastrohen vazhdimisht, por për shkak të reshjeve të reja duhet ta përsërisim punën nga fillimi. Prioritet janë rrugët e kategorisë së parë dhe të dytë, dhe kur është e mundur kalojmë edhe në rrugët e kategorisë së tretë e të katërt”, thanë nga “RAD-i”, duke theksuar se aktivitetet do të vazhdojnë sa herë që kërkojnë kushtet atmosferike.

Probleme edhe në qarkullimin publik

Reshjet e dëborës shkaktuan vonesa dhe vështirësi edhe në qarkullimin e transportit publik. Ekipet e transportit po punojnë me intensitet për të mbajtur shërbimet funksionale.

Pavarësisht problemeve, bora disa prej qytetarëve ua solli edhe gëzimin e mëngjesit. Në Baščarshi turistët fotografonin të entuziazmuar nën flokët e dëborës, fëmijët bënin topat e parë të borës për këtë dimër, ndërsa shitësit ndihmonin njëri-tjetrin për të pastruar hyrjet e dyqaneve.

Shërbimet dimërore vazhdojnë të punojnë me kapacitet të plotë, ndërsa qytetarëve u rekomandohet kujdes në komunikacion dhe durim derisa rrugët të pastrohen gradualisht.

Sipas meteorologëve, nga e diela pritet një qetësim i shkurtër i motit, por në fillim të javës një valë e re reshjesh do të mbërrijë. Me gjasë, Sarajevën sot e ka përfshirë zyrtarisht sezoni dimëror.

Kategoritë
LajmeRajoni