Bislimi: Lajçakut ja kemi dorëzuar një dokument me pesë faqe për të hequr masat nga BE

Zëvëndëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi sot në një konferencë për media ka folur për masat e BE-së kundër Kosovës.

Ai ka treguar se mbrëmë i kanë dorëzuar Lajçakut një dokument me pesë faqe ku kanë treguar pse duhet të hiqen masat.

Bislimi tha se shefi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka argumente që të dërgojë letrën në Këshillin e BE’së. Ai ka shtuar se mos dërgimi i kësaj letre mund të krijojë indikacione që masat po keqpërdoren për ndonjë synim tjetër i cili nuk ndërlidhet me eskalimin në Veri të Kosovës.

“Ne, mbrëmë i kemi dorëzuar z. Lajçak një dokument pesëfaqësh ku ne tregojmë pse Kosovës duhet t’i hiqen masat, për arsye se zakonisht thuhet se Kosova i ka plotësuar pothuajse të gjitha kërkesat e BE’së por mbetet edhe diçka të bëhet në këtë drejtim. Aty ne kemi listuar diku 10 aktivitete që kemi bërë që nga qershori i vitit të kaluar për të cilat besojmë që Komisioni Evropian i ka rrugët që të deklarojë që Kosova është shumë konstruktive dhe Kosovës duhet t’i hiqen masat. Këshill i BE’së në dhjetor ka konstatuar që ata janë të interesuar dhe të gatshëm t’i kthehen diskutimit për heqjen e masave dhe që këtë ta bëjnë në të ndërlidhur me një shkresë që z. Borrell duhet ta dorëzojë te palët me rekomandimin për heqjen e masave. Ne mendojmë që z. Borrell ka më shumë argumente se sa që duhen për ta dërguar këtë letër dhe mos dërgimi i kësaj letre mund të krijojë indikacione që masat po keqpërdoren për ndonjë synim tjetër i cili nuk ndërlidhet me eskalimin në Veri të Kosovës”, ka thënë Bislimi.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi