Biden: Nuk jam për një armëpushim në Gaza

Presidenti amerikan Joe Biden ka hedhur poshtë thirrjet për një armëpushim në Gaza, duke thënë se kjo nuk do të sjellë paqe.

“Për sa kohë që Hamasi i përmbahet ideologjisë së tij të shkatërrimit, një armëpushim nuk është paqe. Hamasi do të përdorë çdo armëpushim për të rimbushur rezervat e tij të raketave, për të rigrupuar luftëtarët dhe për të rifilluar sulmet ndaj të pafajshmëve,” shkroi Biden në një botim të ri për Washington Post.

“Qëllimi ynë nuk duhet të jetë ndalimi i luftës sot, lufta duhet të përfundojë përgjithmonë. Ne duhet të thyejmë ciklin e dhunës së vazhdueshme dhe të ndërtojmë diçka të fortë në Gaza dhe në të gjithë Lindjen e Mesme në mënyrë që historia të mos përsëritet”, shtoi ai.

Biden i bëri thirrje gjithashtu Izraelit të respektojë ligjin humanitar dhe të minimizojë humbjen e jetëve civile. Ai tha se zgjidhja me dy shtete është e vetmja zgjidhje e përhershme e konfliktit në rajon dhe se ndërkohë duhet të ketë një qeveri nën administratën palestineze.

“Ndërsa ne ndjekim paqen, Gaza dhe Bregu Perëndimor duhet të ribashkohen nën një strukturë të vetme qeverisëse, në fund të fundit nën një Autoritet Palestinez të rigjallëruar, ndërsa ne punojmë drejt një zgjidhjeje me dy shtete. Nuk duhet të ketë zhvendosje të detyruar të palestinezëve nga Gaza, asnjë riokupim , rrethim apo bllokadë, dhe asnjë territor i reduktuar”, shkroi ai.

Kategoritë
BotaLajme