“Biden do t’i ofrojë Rusisë vazhdim 5-vjeçar të marrëveshjes ‘New START'”

Me shfuqizimin e marrëveshjeve të mëparshme për kufizimin dhe kontrollin e armëve bërthamore në botë, marrëveshja ruso-amerikane “New START” ishte mekanizmi më i rëndësishëm në këtë fushë.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden përgatitet që t’i propozojë Rusisë vazhdim 5-vjeçar të marrëveshjes së re të reduktimit strategjik të armëve (New START).

Me shfuqizimin e marrëveshjeve të mëparshme për kufizimin dhe kontrollin e armëve bërthamore në botë, marrëveshja ruso-amerikane “New START” ishte mekanizmi më i rëndësishëm në këtë fushë. Kjo marrëveshje midis SHBA-së dhe Rusisë u nënshkrua në vitin 2010 në Pragë, ndërsa afati i saj skadon më 5 shkurt të vitit 2021.

Presidenti Biden që në ditën e parë bëri disa ndryshime në politikën që udhëhiqte paraardhësi i tij, Donald Trump.

Duke u thirrur në një zyrtar të lartë anonim të Shtëpisë së Bardhë, mediat amerikane raportojnë se këshilltari i sigurisë kombëtare të SHBA-së, Jake Sullivan që sot pritet t’i dorëzojë ambasadorit rus në Washington, Anatoly Anatonov propozimin e Bidenit për vazhdimin e marrëveshjes “New START” për 5 vite të tjera.

Një marrëveshje e tillë mund të gëzojë Rusinë dhe NATO-n, konsiderojnë një numër analistësh amerikanë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në disa raste u ka bërë thirrje krerëve të Rusisë dhe SHBA-së të vazhdojnë marrëveshjen.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin në tetor të vitit të kaluar i propozoi SHBA-së që pa kushte të vazhdojnë marrëveshjen për një vit.

Putin pati deklaruar se marrëveshja “New START” ka funksionuar normalisht dhe ka penguar garën në armatosje.

Kategoritë
BotaLajme