Shtim masiv i parave false në tregun e Kosovës. Kështu e përshkruajnë ekspertë të Agjencisë së Forenzikës praninë e monedhave dhe kartëmonedhave të falsifikuara në vend.
Vlera e tyre, thonë ata, është në rritje krahasuar me vitin e kaluar – aktualisht dhjetëra mijëra euro.
Nga janari deri në shtator të vitit 2023, në laboratorin e Agjencisë së Forenzikës u ekzaminuan mbi 35.000 monedha të falsifikuara dhe 2.209 kartëmonedha të falsifikuara.
Feriz Selimaj, ekspert në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, thotë për Radion Evropa e Lirë se cilësia e falsifikimeve varion nga më e dobët deri në shumë e mirë.
Kosova nuk është pjesë e Eurozonës, por përdor euron. Nga shtetet e tjera të rajonit, ashtu vepron edhe Mali i Zi.
Për raportimin e atëhershëm, REL-i bisedoi edhe me disa profile në aplikacionin TikTok, që konfirmuan se mund të sjellin para false në Kosovë, në çfarëdo shume që kërkohet, por nuk porositi për të mos kryer vepër penale.
Qindra raste të iniciuara në polici
Sipas të dhënave që Radio Evropa e Lirë siguroi nga Policia e Kosovës, në gjashtë muajt e parë të këtij viti u iniciuan 486 raste të falsifikimit të parave, ndërsa gjatë gjithë vitit të kaluar 804.
Në një nga raportimet e fundit për këtë çështje, më 17 tetor, policia tha se një menaxher i një banke në Kosovë ka raportuar se klientë të ndryshëm kanë deponuar në atë institucion “një sasi të parave” që dyshohet të jenë të falsifikuara.
Vlera e tyre ka qenë afër 2.000 euro.
Në të njëjtën ditë, policia njoftoi se ka arrestuar një person, pasi që gjatë kontrollit në veturën e tij ka gjetur dhe konfiskuar afër 1.000 euro – në monedha prej 2 eurosh – që janë dyshuar si të falsifikuara.
Në një deklaratë me shkrim dhënë REL-it, Banka Qendrore e Kosovës thotë se është duke u koordinuar me organet përgjegjëse “për t’i mbështetur në veprimet e tyre për kufizimin dhe parandalimin” e dukurisë së parave false.
Ata nuk specifikojnë se kujt i referohen me “operatorë të dyshimtë”, por thonë se praktika e tillë do të kontribuonte në mënyrë të drejtpërdrejtë në parandalimin e qarkullimit të parave false.
Në komunikatë u tha se “Banka Qendrore e Kosovës, Policia e Kosovës, Agjencia e Kosovës për Forenzikë, Doganat e Kosovës, Administrata Tatimore e Kosovës, Njësia e Inteligjencës Financiare, Inspektorati i Tregut dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë janë pajtuar që t’i intensifikojnë aktivitetet në zbatim të ligjit, të shtohen kontrollet dhe aktivitetet inspektuese brenda dhe në kufi, si dhe të ndiqen ligjërisht dhe me efikasitet aktivitetet e tilla joligjore”.
“Disa konsumatorë duan të blejnë me ato para se nuk e dinë që janë false, por ka pasur raste që edhe unë kam pranuar 2 euro false dhe nuk e kam ditur”, tha pronari i një biznesi ushqimor, duke dashur të mbetet anonim.
Çka thonë ekspertët?
“Në momentin që identifikohen si para false, aq sa është shuma e tyre, aq janë edhe humbjet në ekonomi”, thotë Milazim Abazi, ish-kryesues i Komitetit të Financave në Odën Ekonomike Amerikane.
Por, cili është rreziku që ata të përballen me shkelje, nëse bartin pa ditur para false në tregun e BE-së?
Mejdi Bektashi, profesor i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, nuk sheh ndonjë rrezik të madh në këtë aspekt.
Si të mbroheni nga paratë e falsifikuara?
Monedhat false janë zakonisht më të vrazhda dhe mund të identifikohen edhe me devijime, shkronja dhe simbole që nuk përputhen me origjinalin.
“Te monedhat 1 dhe 2 euro, të cilat janë bimetalike, pjesa e brendshme është pak magnetike, ndërsa pjesa e jashtme jo. Monedhat 1, 2 dhe 5 centë janë shumë magnetike dhe tërhiqen lehtësisht nga magneti. Monedhat e falsifikuara, nga ana tjetër, zakonisht ose nuk janë fare magnetike, ose tërhiqen fort nga magnetet”, thuhet në manualin e BQK-së për mbrojtje nga paratë false.